Shteti, i pafuqishëm për të ndalur gjakmarrjen
“Gjakmarrja nuk e ka më aspektin burrëror. Njerëzit vazhdojnë të vriten, ngujohen fëmijë e gra në emër të Kanunit, por për motive banale. E kjo dhimbje sot nuk është e justifikueshme". Kështu është shprehur regjisori i ri kosovar, Luan Kryeziu, duke dashur të shpjegojë edhe përpjekjen e tij për ta ironizuar këtë fenomen. Dhe në fakt kjo është një e vërtetë e hidhur. Gjakmarrja në Shqipëri ka marrë përmasa të bujshme, të patolerueshme për qytetërimin tonë. Ajo është bërë një nga dukuritë më kriminale të jetës sociale, që ende mbetet e neglizhuar dhe që nuk trajtohet si një fenomen social. Të pafuqishme strukturat e Policisë dhe të Drejtësisë për të reaguar bëjnë që njerëzit t’i zgjidhin konfliktet me hakmarrje që i është vënë emri gjakmarrje, duke bërë kështu vetëgjyqësi dhe vetëndëshkim. Edhe shkrimtari i madh, Ismail Kadare, është shprehur në revistën “Ligji dhe jeta”
se kjo që po ndodh s’ka të bëjë me Kanunin shqiptar dhe është shumë barbare, kryhet me kallashnikov… Ngujimi i qindra grave dhe e fëmijëve në shtëpi për shkak të gjakmarrjes është një gjë e tmerrshme. Kështu ka ndodhur dhe me familjen Aga. Një aksident automobilistik e ka futur këtë familje në gjak. Edhe pse aksidenti ka ndodhur 11 vjet më parë sërish tendenca për hakmarrje nuk është shuar. Djali i madh i familjes Aga hyri në gjak në qytetin e Shkodrës për shkak të një aksidenti sepse makina e tij u përplas dhe një shkodran mbeti i plagosur. Të afërmit e tij u betuan për gjakmarrje, duke mos marrë parasysh rrethanat e aksidentit. Deri në momentin që vdiq djali i madh i familjes Aga u ngujua nga frika e gjakmarrjes.
Pas vdekjes së tij duhej të ruhej babai i tij, Mustafa dhe vëllai Blendi Aga, pasi menjëherë pas funeralit morën telefonata kërcënuese të gjakësve. Kjo telefonatë bëri që ata të ngujohen babë e bir. Mësojmë se Blendi Aga, denoncoi në polici në fillim të shtatorit 2006, për telefonatat kërcënuese, por ky fakt nuk mundi të ndalonte sulmin me armë zjarri kundrejt pronës së tij në vitin 2007. Dhe sot një goditje tjetër na rifreskon kujtesën. Ky gjak ekziston ende! Por deri kur vallë? Si mund të jetojë një familje e tërë, për vite me radhë, me një stres të tillë?! Si mund të rritet një fëmijë si Amantia Aga me frikën se rrezikohet jeta e babait të saj nga dita në ditë?! Si mund të guxojë një nënë si zonja Alije Aga të lindë një vëlla për Amantian e vogël?! Këta njerëz që nuk kanë faj për asgjë...! Këta njerëz hedhin sytë nga shteti për mbrojtje... Policia deklaron se nuk i ka gjetur keqbërësit. Banorët vazhdojnë të jenë të trembur nga shpërthimi i fuqishëm që për fat të mirë nuk kishte viktima në njerëz, por vetëm dëme të konsiderueshme materiale. Familja Aga vazhdon të qëndrojë e ngujuar dhe e pambrojtur. Asnjëri prej tyre nuk mundi të jepte informacion për ngjarjen. Frika e ndonjë hakmarrjeje më të fuqishme i mban ata të heshtur. Nga fqinjët mësojmë se zotin Blendi Aga me bashkëshorten, Alije Aga dhe vajzën e tyre Amantia Aga nuk i kanë parë prej kohësh dhe nuk e di askush se ku ndodhen.
Por ky nuk është i vetmi rast në Shqipëri
Në dhjetor të vitit 2007, një vajzë 22 vjeçe dhe një djalë 18 vjeç u vranë në emër të mbrojtjes së nderit. Armën e shkrepën vëllezërit e vajzës, duke menduar se kështu vunë në vend nderin e cenuar. Burrat e dy fiseve u ngujuan, ndërsa trupi i vajzës nuk prehet pranë varrezave të familjes së saj. Disa të afërm të saj e morën 8 orë pasi ishte kryer krimi dhe diku nga mbrëmja organizuan një ceremoni varrimi, larg syve të të tjerëve. Ndërsa loti në sytë e nënës nuk ka vend në këtë rast. Ajo mund ta qajë bijën e vetme vetëm me lotët e zemrës dhe vetëm atëherë kur nuk e shikojnë të tjerët. Tre vëllezërit e saj, të rritur në të njëjtin bark nëne, i morën jetën në emër të Kanunit! Në emër të atij Kanuni që i ndalon vrasjet brenda gjakut dhe pa kaluar në një gjykim të burrave të mençur. Ndërsa në shtëpinë e 18-vjeçarit, teksa gratë vajtojnë djalin e vetëm të shtëpisë, xhaxhai i tij dredh cigaren dhe në emër të Kanunit thotë se familjet janë në gjak dhe do të veprojë.
Harta e familjeve që janë ngujuar për shkaqe të tilla shtrihet në të gjitha rrethet e vendit, duke filluar që nga Malësia e Madhe, Shkodra, Fushë-Kruja, Tirana, Durrësi, Vlora, Fieri e Berati. Le të marrim për shembull rastin e Beratit, ku nga dy fise janë 28 të vrarë.
Fakte të tilla duhet të bindin shoqërinë dhe mbi të gjithë shtetin shqiptar se duhet të marrë gjendjen në dorë për mposhtjen e këtij fenomeni gjakmarrës.
Sa familje janë në gjak në Shqipëri?
Numri i familjeve të përfshira në këto konflikte ka ardhur duke u shtuar. Kështu, nëse në vitin 2005 kishim vetëm 860 familje në konflikt, aktualisht janë 1350 familje të ngujuara. Që do të thotë se janë mbi 5 mijë persona që nuk dalin dhe nuk lëvizin lirisht nga shtëpia dhe që janë privuar nga jeta e përditshme. Ata punojë në fshehtësi dhe moszbatimi i kanunit ka sjellë që të ngujohen edhe gratë edhe fëmijët, pasi ne njohim raste kur është marrë gjak edhe mbi gratë e fëmijët, që në kanun është kategorikisht e ndaluar. Kështu, vetëm në Tiranë janë rreth 110 familje që kanë hyrë në ngujim apo janë kthyer në endacakë nëpër botë. Nga këto, 670 familje janë në hasmëri për shkak të pronave. Ndërsa në zonën e Mbi dhe Nën Shkodrës janë 1600 familje që mund të jenë edhe farefis me njëra-tjetrën, por që nuk hyjnë e dalin, pasi kanë konflikte pronësie, pa llogaritur zonën e qytetit. Ne kemi arritur një marrëveshje me të gjitha vendet e OSBE-së që të pranojnë të drejtën e azilit për shkak të gjakmarrjes, dhe kështu kanë mundur të shpëtojnë shumë familje.
e
20 Mars 2009