E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni “Notari” vë në pranga autorët e vjedhjeve në fshatrat e Dropullit



Gjirokastër – Forcat e Policisë së Gjirokastrës, nën operacionin e koduar “Notari”, kanë mundësuar kapjen dhe ndalimin e autorëve të vjedhjes me dhunë në fshatin Sofratikë.
Arrestimi
Burime policore bëjnë të ditur se hetimet e policisë çuan në identifikimin e njërit prej personave edhe si autor të disa vjedhjeve të mëparshme, realizuar në zonën e fshatrave të Dropullit në jug të vendit. Sipas të dhënave, i ndaluari është 18-vjeçari Artan Rama, lindur dhe banues në Memaliaj, i cili në momentin që ka konstatuar policinë është larguar duke u hedhur në lumin Vjosë. Ndjekja ka vazhduar përreth dy orë, duke mundësuar në fund kapjen e tij. Ndërsa autori i dytë i kapur në banesën e tij është 16-vjeçari Kristo Ruçi, banues në fshatin Mamaj të Tepelenës. Sipas të dhënave të policisë, tri ditë më parë, të dy, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur me maska dhe nën kërcënimin e thikave, banesën e shtetasit Spiro Nasto në fshatin Sofratikë të rrethit Gjirokastër, ku kanë marrë 3000 lekë të rinj dhe 50 euro.
Provat
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy thika, një kapuç i përdorur për maskim dhe një palë dorashka, me të cilat është kryer vepra penale. Ndërkaq, nga puna intensive hetimore u arritën të dokumentoheshin me prova ligjore edhe disa vjedhje të tjera të kryera gjatë vitit 2008 në Dropullin e Poshtëm.
Sipas tyre, Artan Rama, në bashkëpunim me Sokol Ramën, i cili është shpallur në kërkim pasi është larguar në Greqi, kanë vjedhur me dhunë nën kërcënimin e thikës një shumë prej 800 eurosh dhe 1500 lekë në banesën e shtetasit N. Skapeta në fshatin Sofratikë të rrethit Gjirokastër. Po këta dy shtetas, në tetor të vitit të kaluar, kanë vjedhur me thyerje banesën e shtetasit F. Aliu nga fshati Derviçan i Gjirokastrës, ku kanë marrë sende të ndryshme dhe një sasi lekësh. Por ka edhe një vjedhje tjetër të kryer nga shtetasi Artan Rama në vitin 2008 në shuma të mëdha, ku me thyerje dhe nën kërcënimin e thikës, ai i maskuar ka vjedhur një shumë prej 14 mijë euro në banesën e shtetasit J. Kuçoi në fshatin Dhuvjan të rrethit Gjirokastër.

Qëllon gruan me levë në kokë, i jep fund jetës me fostoksinë

Fier - Një burrë i dha fund jetës, pasi më parë qëlloi me levë ish-bashkëshorten, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Aristotel Gjoni, 45 vjeç, ka gjetur vdekjen pasi ka pirë tri kokrra pesticid fostoksinë, pasi para se të kryente këtë veprim ai kish qëlluar gruan dy herë me levë hekuri pas koke dhe më pas ka tentuar që të vetëhidhet në erë me anë të dy granatave, por që çuditërisht nuk kanë shpërthyer, edhe pse u ka hequr siguresën. Më pas ka pirë tre kokrra fostoksinë. Ngjarja në fjalë ka ndodhur mesditën e djeshme në lagjen “Sheq i Madh” vetëm dy kilometra larg qendrës së Fierit, rreth orës 12:30. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policore, ndërkohë që të afërm të tyre dhe komshinj i kanë dërguar me urgjencë në repartin e kirurgjisë së spitalit rajonal Fier. Mjekët kanë pohuar se çifti Gjoni ka shkuar në gjendje të rëndë. Aristoteli ka ndërruar jetë 30 minuta pasi ka mbërritur në spital, pasi kishte pirë sasi të madhe pesticide fostoksinë. Vasilika 37-vjeçare është në gjendje të rëndë, pasi kishte marrë dy goditje pas koke, pohuan mjekët e spitalit. Burimet zyrtare të policisë pohuan se çdo gjë është në kontroll, ndërkohë që autori i kësaj ngjarjeje ka gjetur vdekjen pasi ka pirë fostoksinën.

20 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›