E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ban Ki Mun, thirrje Kosovës dhe Serbisë për bashkëpunim

Blerina Olldashi
Sekretari i Organizatës së Kombëve të Bashkuara, Ban Ki Mun, u ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës, që të gjejnë mënyra për lënien anash të çështjes së statusit dhe të angazhohen në interes të vazhdimit të bashkëpunimit rajonal. “Kërkoj fleksibilitet në vazhdimin e përcaktimit të mënyrës së punës, lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në mekanizmat rajonalë dhe ndërkombëtarë dhe në forume, që është esenciale për zhvillimin ekonomik dhe demokratik dhe për stabilitetin afatgjatë në rajon”, thuhet në raportin më të ri të Ban Ki Munit, dërguar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara lidhur me misionin e OKB-së në Kosovë. Më tutje, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, vlerëson se raportet e UNMIM-kut me autoritetet e Kosovës janë përmirësuar, pasi ishin shënuar kontakte të kufizuara me përfaqësuesin e tij special në Kosovë, Lamberto Zanier, gjatë disa muajve të kaluar. Ai vlerëson se situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë është “relativisht e qetë, por potencialisht e ndjeshme. “UNMIK-u mbetet i përkushtuar për lehtësimin e angazhimit të të gjitha palëve, për të gjetur zgjidhje praktike për çështjet e interesit reciprok”, thekson në raportin e tij, Ban Ki Mun. Misioni ka vazhduar përpjekjet e tij për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë, por pa sukses, megjithëqë çështja “është në interes të të gjitha palëve dhe është diskutuar intensivisht për shumë muaj”, thuhet më tutje në raport. Gjatë luftës së vitit 1999 dhe shpërthimit të dhunës prej atëherë, kishat ortodokse serbe dhe xhamitë e shqiptarëve myslimanë, ishin shkatërruar ose dëmtuar. Përderisa në raport shprehet kënaqësi për uljen e rëndësishme të tensioneve ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës, në lagjen veriore “Kroi i Vitakut”, Ban Ki Mun thekson se situata në veri të Kosovës mbetet e ndjeshme. “Veçanërisht, incidentet ndëretnike kanë vazhduar të ndodhin në Mitrovicën veriore, që është arsye për shqetësim”, thuhet në raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, për situatën në Kosovë, që është publikuar në faqen e internetit të OKB-së. Më tej në raport, shkruhet se “UNMIK-u ka vazhduar t’i mbështesë komunitetet pakicë, për ta inkurajuar pajtimin dhe për të lehtësuar dialogun dhe bashkëpunimin rajonal” dhe theksohet se qëllim strategjik i misionit të OKB-së “mbetet promovimi i sigurisë, i stabilitetit dhe respektimi i të drejtave të njeriut në Kosovë dhe në rajon, nëpërmjet të angazhimit me të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe me Prishtinën dhe Beogradin dhe me aktorët rajonalë dhe ndërkombëtarë”.
Në raportin më të ri të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, kërkohet fleksibilitet në vazhdimin e definimit të mënyrës së punës, lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në mekanizmat rajonalë dhe ndërkombëtarë. Ai vlerëson se situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë është “relativisht e qetë, por potencialisht e ndjeshme”.

“Google” dhe marrëdhënia e saj me Kinën

Katër vite më parë, kompania gjigante e kërkimeve në internet, “Google”, vendosi të ofronte shërbimet e saj në tregun kinez pasi ra dakord me qeverinë në Pekin, se ajo do të ofronte rezultate të censuruara të kërkimeve në faqen e saj të internetit. Këtë javë, kjo kompani me bazë në Kaliforni ndryshoi kursin pasi njoftoi se kompjuterët e saj ishin sulmuar së bashku me informacionet e korporatës dhe e-maileve e aktivistëve kinezë për të drejtat e njeriut. Zëdhënësja e kompanisë “Google” Xhesika Pouell tha se sulmet në serverët e kompanisë erdhën nga Kina. “Si rezultat i këtyre sulmeve dhe duke përfshirë edhe rrethanat në Kinë, ne kemi vendosur të rishqyrtojmë realizueshmërinë e operacioneve tona të biznesit atje dhe me prirje të mirë ne me të vërtetë nuk mund të vazhdojmë operimin e faqes së internetit me kërkime të filtruara në Kinë”. Kompania Google nuk e ka akuzuar qeverinë Kineze për këtë incident në mënyrë të veçantë, por kjo u nënkuptua nga përfundimet e përgjithshme dhe të dhënat nga njoftimi i kësaj kompanie.

Afganistan, Parlamenti refuzon propozimet për kabinetin qeveritar

Parlamenti afgan ka refuzuar për herë të dytë me shumicë votash kandidatët e propozuar nga Presidenti, Hamid Karzai për kabinetin e ri qeveritar. Dhjetë kandidatë u rrëzuan në votimin e parlamentit, vetëm shtatë u miratuan. Deputetët miratuan edhe propozimin që këshilltari prej shumë vjetësh për sigurinë, Salmai Rasul, të bëhet ministër i jashtëm. Edhe Habibullah Ghaleb u miratua si ministër i drejtësisë. Në 2 janar parlamenti afgan pati refuzuar më shumë se dy të tretat e kandidaturave të paraqitura nga Karzai. Votat kundër në raundin e dytë të votimeve, vlerësohen si një humbje e rëndë për Presidentin afgan. SHBA-ja dhe shtete të tjera kanë kërkuar, që qeveria e re të nisë punën mundësisht përpara fillimit në Londër më 28 janar të konferencës ndërkombëtare për Afganistanin.

18 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›