E Shtunë, 31 Tetor 2026

PADIA CIVILE, banorët e Gërdecit kërkojnë 360 milionë lekë dëmshpërblim

Laureta Rryçi

TIRANË - Banorët e Gërdecit përcaktojnë faturën e parë financiare, duke kërkuar në rrugë gjyqësore dëmshpërblim për pasojat e tragjedisë së 15 marsit të vitit 2008. Me anë të një padie civile, 51 banorë i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës duke i kërkuar t’u japë të drejtë për të marrë shumën financiare prej 360 milionë lekë të reja. Banorët e kërkojnë dëmshpërblimin nga kryeministria, Ministria e Mbrojtjes, ndërmarrja "MEICO",
shoqëria "Albademil" sh.p.k, ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, Mihal Delijorgji dhe së fundmi, nga Ylli Pinari. Në padi kërkohet në të njëjtën kohë që gjykata pa arritur në një vendim përfundimtar mbi këtë kërkesë, të bëjë një sekuestro pasurive të këtyre personave dhe subjekteve. Banorët e kanë ndërmarrë këtë nismë, pasi Gjykata e Lartë u shpreh se kërkesa e tyre nuk mund të gjykohej bashkë me dosjen penale ndaj të akuzuarve për tragjedinë e Gërdecit. Gjykata e Lartë sugjeroi që Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës duhet të gjykonte edhe padinë civile që kishte ngritur Avokati i Shtetit kundër shoqërisë "Albademil" sh.p.k.

Paditësit
Banorët, pas vendimit të Gjykatës së Lartë, menjëherë iu drejtuan Gjykatës së Shkallës së Parë për padinë e tyre civile. Shorti përcaktoi për ta shqyrtuar këtë kërkesë gjyqtaren Enkela Bajo. Seanca e parë u zhvillua ditën e premte dhe gjyqtarja e çështjesh vetëm sa ka realizuar seancën paraprake, duke njoftuar palët që seanca e parë për këtë proces civil do të zhvillohet në një datë të mëvonshme. Kjo është hera e parë që gjykata duhet të shprehet për tragjedinë e Gërdecit në lidhje me një shumë konkrete.

Paditë e shumta
Padia civile në Gjykatën e Tiranës, është veçse një padi më shumë e bërë gjatë këtyre muajve nga banorët e Gërdecit. Dy prej tyre kanë depozituar padi më vete në Gjykatën e Lartë. Të dyja këto padi janë pranuar dhe me datën 25 janar pritet të zhvillohen seancat. Gjykata e Lartë vetëm dy ditë më parë, për shkak të natyrës së padisë e bëri me dije avokatin e Fatmir Mediut se në seancën e parë që cilësohet si seanca e pajtimit, ish-ministri i Mbrojtjes e kishte me detyrim që të ishte i pranishëm. Në të dyja këto padi që pritet të shqyrtohen në Gjykatën e Lartë, asnjë prej paditësve nuk e ka përcaktuar dëmshpërblimin financiar që do të kërkojë ndaj ish-ministrit.

Procesi i ndarë

Tragjedia e Gërdecit po shqyrtohet e ndarë në pjesë. Gjyqi më i madh po bëhet në Shkallën e Parë me plot 29 të pandehur, shumica ish-ushtarakë dhe 3 drejtues të fabrikës së demontimit të armëve, janë të vetmit në arrest. Tragjedia e Gërdecit ishte më e rënda që ka goditur vendin tonë vitet e fundit. Vetëm 15 kilometra nga Tirana shpërtheu një fabrikë ku demontoheshin armë duke shkaktuar 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe dhjetëra banesa e biznese të shkatërruara.

Të dhëna për padinë civile

Paditësit
Albana Hazizaj
Artur Ahmeti
Bajram Leti
Dhimitër Hazizaj
Dritan Cani
Eljo Ase
Elona Ase
Emiranda Ahmeti
Endri Hamolli
Enkeleda Kruja
Feruzan Durdaj
Festime Hamolli
Florian Kaca
Fuada Kenga(Deliu)
Gentian Deliu
Gëzim Cani
Hekuran Kaca
Ilirjan Deliu
Irena Deliu
Irena Ahmeti
Irisa Kruja
Jeton Laci
Klevina Durdaj
Kristina Durdaj
Leonora Ahmeti
Liljana Ahmeti(Lugjaj)
Luiza Hazizaj
Marina Kruja
Mikela Kaca
Mimoza Kruja
Mustaf Laçi
Naile Ahmeti
Naim Ahmeti
Nazime Hazizaj
Nikolin Hazizaj
Orgest Hamolli
Pëllumb Cani
Rigon Durdaj
Roland Cani
Roxhers Durdaj
Rozafat Ahmeti
Sali Ahmeti
Selvi Hamolli
Shkëlqim Prini
Tauland Hazizaj
Tushe Leti
Uran Deliu
Valmira Ahmeti(Kraja)
Vasil Laçi
Vilson Laçi
Zamira Durdaj

Të paditurit
Kryeministria
Ministria e Mbrojtjes
Ndërmarrja "MEICO"
Shoqëria "Albademil" sh.p.k.
Fatmir Mediu
Mihal Delijorgji
Ylli Pinari

Lloji i Çështjes: Padi Shkaktim Demi (Neni 608-654)
Baza Ligjore: Neni 608 - 654
Objekti: Kërkohet të vendoset pagimi i dëmshpërblimit solidarisht në shumën totale prej 360 000 000 lekësh të reja për humbjen e jetës së viktimave të sipërcituara në tragjedinë e Gërdecit, vënien e sekuestros konsvervative mbi pasuritë e të paditurve, dhënien e vendimit me ekzekutim të përkohshëm
Statusi i dosjes:Gjykim
Gjyqtari: Enkela Bajo

18 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›