Mendja dhe Intelekti
Astrit Lulushi
Filantropia bën shumë për shkencën. Kudo në botë, vetëm fondacionet, pa përfshirë individë, i dhurojnë shkencës, teknologjisë e mjekësisë me miliarda dollarë. Krahas fondeve, edhe thirrjet, kërkesat, fjalët ngushëlluese, lutjet për të ndihmuar persona të goditur nga fatkeqësi, renditen në grupin e bamirësive.
Pranohet natyrshëm që institucione a organizata shkencore të kërkojnë e marrin fonde dhuruese për të vazhduar punën e tyre. Atëherë përse duket e çuditshme kur këto institucione ndërmarrin një fushatë, jashtë rolit të tyre, për të ndihmuar moralisht a materialisht një grup popullate që është prekur nga fatkeqësi?
“Arti, Shkenca dhe Filantropia, janë armiq të intelektit, jo qëllimisht dhe jo sepse konspirojnë, por si rezultat i asimilimit të tyre kuturu brenda vetë intelektit”. (House of Intellect, J. Barzun). Intelektualët, si gazetarë të mendjes, mendohet të jenë të pavarur nga mendimi. Por, si çdo individ, edhe ata mahniten nga arti, sundohen nga shkenca, dhe joshen nga filantropia. Këto e bëjnë intelektin një qenie pa formë që ushqehet nga truri.
Ato që e dallojnë njeriun nga qeniet e tjera janë; mendja, vetëdija, intelekti dhe uni ose ego. Dhe këto krijohen si rezultat i të mësuarit dhe arsyetimit brenda vetes.
Kur një individ e identifikon veten me trupin dhe emocionet, kjo është quajtur Ego. Duke qenë në kundërshtim me parimet e vetëdijes a ndërgjegjes, - e cila luan rolin e një kontrollori të cilësisë - Uni konsiderohet si armiku më i ashpër i saj.
Ndërsa Egoja dhe Vetëedija luftojnë njëra-tjetrën, Intelekti dhe Mendja janë të ndërlidhur e të ndërvarur dhe nuk mund të funksionojnë veçmas. Intelekti është prodhim i Mendjes. Në fakt Intelekti është "mendje e rafinuar". Supozoni se jetoni në një vend-shtet-diktaturë-të izoluar dhe doni të arratiseni. Një zë i brendshëm iu thotë, “Ikni”, ndërsa një zë i dytë iu thotë, “Mos u nisni pa një plan”; Zëri i parë quhet Mendje; zëri i dytë, rezultat i "rafinimit" të mendimit "bruto", quhet Intelekt.
Prej fjalës “intelekt” rrjedh ”intelektual”, fjalë që në anglisht filloi të përdorej vetëm aty rreth shekullit të XIX. Në kuptimin e “të qenit intelektual”, “Oxford Dictionary” e shpjegon si të ardhur nga frëngjishtja. Për herë të parë kjo fjalë hyri në anglisht në vitin 1813 kur Bajroni e përdori në ditarin e tij dhe më pas më 1890, kur, për të ironizuar politikanët dhe akademikët e asaj kohe, “London Daily News” shkruante: - “ të ashtuquajturit intelektualë të Kostandinopojës merreshin me diskutime, ndërsa turqit merrnin qytetin” – shprehje e ardhur në shqip si “Stambolli digjet, ndërsa k…. krihet”.
Intelektualët në Shqipëri që sot janë rreth të 50-tave, përbëjnë “ushtrinë” e të arsimuarve falas. Një pjesë e tyre janë më të zhgënjyer me fatin e vet dhe Egoja u sundon Vetëdijen. Gjithashtu, ata ndoshta kurrë nuk mendojnë për një farë borxhi që i kanë arkës së shtetit, - jo regjimit, - për shkollimin e tyre, prandaj edhe Mendja e Intelekti janë në gjendje lufte.
18 Janar 2010