E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ban Ki-moon'in e sulmojnë me këpucë

Rreth 40 protestues palestinezë kanë hedhur të enjten këpucë, gurë, shkopinj dhe karrige drejt karvanit të sekretarit të përgjithshëm të OKB’së, Ban Ki-moon, në kohën kur karvani i veturave të OKB’së arriti për vizitë në Rripin e Gazës.

Hedhja e këpucëve në drejtim të ndonjë personi të caktuar në kulturën islame konsiderohet shenjë e madhe e mosrespektit.

Shumica e atyre që po protestonin kundër vizitës së sekretarit të OKB’së ishin anëtarë të familjeve të palestinezëve që ende mbahen nëpër burgjet izraelite. Protestuesit bartin pankarta të shkruara në anglisht dhe arabisht, përmes të cilave Ban Ki-moon akuzohej për anim kah Izraeli dhje për refuzim që të takohej me farefisin e palestinezëve të burgosur.

Vizita e Ban Ki-moon ndodhi vetëm një ditë pasi që kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, njoftoi për një lehtësim të mundshëm të bllokimit të Gazës nga ana e Izraelit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›