E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Opozita po shpif për mua

Nga Express më 27 prill 2011 në ora 13:01

Kandidati i shumicës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, foli për herë të parë publikisht për pasaportën e dyshimtë amerikane, me të cilën bleu një apartament në Holandë, për të cilën u bë objekt edhe i akuzave të opozitës.

Kandidati i djathtë foli edhe për shtëpinë në Holandë, për të cilën theksoi se e ka shitur.

Basha deklaroi se këto janë trillime të mirëfillta, ndërsa shtoi se nuk zotëron pasaportë amerikane dhe nuk ka blerë asnjë shtëpi me pasaportë të tillë dhe shtoi se bëhet fjalë për një lapsus të thjeshtë noterial, siç tha Basha.

“Thjesht një gabim noterial. Në vend që të shkruhej pasaportë shqiptare, u ngatërrua dhe u shkrua amerikane, por ndërkohë përkrah këtij shkrimi ishte vënë numri i pasaportës sime shqiptare. Unë deklaroj sot se mbaj vetëm një pasaportë, pasaportën biometrike shqiptare”, tha Basha.

Ndërsa në lidhje me shitjen e apartamentit në Holandë, Basha tha se ILDKP ka vërtetuar se blerja dhe deklarimi i shtëpisë është i rregullt.

“Trillim të mirëfilltë. Referojuni ILDKP-së e cila ka verifikuar të plotë pasurinë time dhe blerjen e shitjen e këtij apartamenti. Apartamenti është blerë me kredi. U shit pasi erdhëm këtu në Shqipëri. E blemë se kredia është më e lirë se qiraja. Kur nuk jetonim më e shitëm, pas shitjes u la kredia. Pjesa tjetër është trillim dhe tregon që kundërshtari nuk ka alternativë tjetër, përveç shpifjes”, tha Basha.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›