E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti per emigrantet Brukseli Jo pezullim te Shengenit

Komisioni Europian nuk mundet të kënaqë kërkesat e Francës dhe Italisë për të shtrënguar rregullat e Shengenit, kërkesë që doli pas takimit mes Sarkozy dhe Berluskonit në samitin e Romës. Grindjet mes dy shteteve për emigrantët tunizianë, kanë bërë që liderët e tyre të dërgojnë edhe një letër të përbashkët në Bruksel, por ky i fundit është i prerë që nuk mund të ketë pezullim të marrëveshjes së Shengenit, e cila është pjesë e traktatit themelues të BE-së.

Komisioni Europian, nga ana tjetër mundet që të saktësojë kushtet për riaplikimin e përkohshëm të kontrolleve në kufi, gjithsesi një zbatim i nenit 23 të shengenit. Por, saktëson zëdhënësi i Komisionit Europian, Oliver Beilli, Brukseli nuk ka ndër mend të revolucionarizojë ndonjë gjë. Bëhet fjalë vetëm për të zgjidhur diferencat në interpretim.

Në përfundim të samitit, dy liderët Sarkozi dhe Berluskoni kanë bërë thirrje për të shtrënguar politikat e Shengenit, në funksion të situatës jonormale që paraqet fluksi i madh i emigrantëve nga afrika veriore dhe sidomos ata tunizianë.
Italia i pajisi këta të fundit me leje të përkohshme qëndrimi, që u mundëson atyre të zhvendosen në Francë, ku kanë edhe të afërmit. Por Parisi nuk e pëlqeu këtë lëvizje të Romës dhe arriti deri në bllokimin e emigrantëve në kufi.

Megjithatë, vetë Berluskoni pranon se nuk mund ta akuzojë Francën për diskriminim të emigrantëve, pasi siç tha ai, Franca çdo vit pranon 50 mijë të tillë, ndërsa Italia një mesatare prej 10 mijë personash.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›