E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Cërrikut, dëshmitarët kthehen mbrapsht nga kanë ardhur

27/01/2010  Protestojnë për shtyrjet e seancave
TIRANË – Nuk është rasti i parë, por pothuaj në të gjitha proceset gjyqësore që përfundojnë me shtyrje të gjatë, dëshmitarët revoltohen. Kështu ndodhi edhe dje në ambientet e hollit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Tetë dëshmitar të ardhur nga qyteti i Cërrikut për të dëshmuar në seancën e radhës, kundër të pandehurve që akuzohen për ngjarjet e ’97, u kthyen mbrapsht. Pasi morën datën për seancën e radhës, që do të jetë javën tjetër, ata u njoftuan të vijnë sërish. Pas këtij vendimi të gjykatës dëshmitarët reaguan duke pretenduar se po shpenzojnë si kohë, ashtu edhe nga ana financiare për t’u paraqitur në gjykatë. Ata thanë se gjykata duhet të marrë masa për të mos u shtyrë seanca, pasi në rast se do të vazhdojë në këtë mënyrë, nuk do të paraqiten, edhe forcërisht po të thirren. Ndërsa vazhdonin pretendimet e tyre kundër shtyrjeve, dëshmitarët u bindën se zëri i tyre nuk u dëgjua. Në fund ata thanë se gjithçka është e kotë. Por nga ana e saj gjykata i tërhoqi vëmendjen palës mbrojtëse, e cila u bë shkak për ndërprerjen e procesit gjyqësor në këtë pikë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›