Lul Berisha: Mos bllokoni pronat e familjes
27/01/2010 Pas shkallës së dytë, bosi i bandës së Durrësit provon të çlirojë pronat në Gjykatën e Lartë
Lista e plotë e pasurive që kërkohet t’i sekuestrohen nga Prokuroria
TIRANË- Numri një i bandës së Durrësit, Lul Berisha, pasi ka humbur dy betejat e para në shkallën e parë të Krimeve të Rënda dhe në Apel, i është drejtuar Gjykatës së Lartë për t’i hequr sekuestron mbi pronat. Kërkesa nuk është bërë vetëm për pronat që kanë emrin e Lul Berishës, por edhe për zhbllokimin e të gjitha pronave që janë në emër të familjarëve të tij. Ka qenë gjykata e Apelit për Krime të Rënda ajo që ka vendosur sekuestron preventive mbi të gjitha pasuritë e Lul Berishës dhe të afërmve të tij. Sekuestro është vendosur pas kërkesës që ka bërë organi i prokurorisë. Gjykata e Lartë do të zhvillojë seancën e radhës për të shqyrtuar kërkesën e Berishës në datë 10 shkurt. Dy gjykatat: ajo e shkallës së parë për Krime të Rënda dhe ajo e Apelit kanë dhënë vendime të ndryshme në lidhje me sekuestron. Ndërsa shkalla e parë ka vendosur vetëm sekuestro mbi pronat e Lul Berisdhës, ajo Apelit ka sekuestruar dhe pronat e familjarëve dhe të afërmve të tij. Pas shkallës së parë, ishte Prokuroria ajo që bëri ankesë në Apel për këtë vendim. Prokuroria kërkoi të sekuestroheshin edhe pronat e familjarëve. Sipas vendimit të Shkallës së Parë, të pandehurit Lulëzim Berisha iu konfiskuan vetëm rreth 1900 metër katror tokë, që ndodhej në territorin e ish-Ndërmarrjes Bujqësore (NB) Frutore të Durrësit, e blerë nga i pandehuri gjatë viteve 2003 - 2005. Një vendim i tillë për akuzën ishte shumë pak, duke parë numrin e madh të pasurive të paluajtshme që rezultonin në emër të familjarëve të Berishës. Sipas akuzës, të gjitha pasuritë e familjarëve të tij janë vënë nga aktiviteti i paligjshëm. Në vendimin e Apelit urdhërohet konfiskimi i rreth 1900 metër katror truall në territorin e ish-N.B. Frutore në Durrës, e cila është regjistruar në emër të Lulëzim Berishës, si dhe rreth 1500 metra katror tokë në fshatin Shkallnuer të Durrësit në emër të bashkëshortes së të pandehurit. Po kështu u vendos edhe konfiskimi edhe i 25 përqindëshit të sipërfaqes së objektit që po ndërtohet mbi pronën e motrës së të pandehurit, që kap shifrën e rreth 3500 metër katror. Kjo sipërfaqe e këtij objekti ka në përbërje të tij 33 apartamente, 23 garazhe automjetesh, si dhe 600 metër katror dyqane. Po në këtë vendim, cilësohet kalimi në pronësi të shtetit edhe i një autoveture fuoristradë e markës "BMW X5" e familjes së të pandehurit. Të gjithë këto prona dhe pasuri, sipas vendimit, ndodhen në qytetin e Durrësit e janë blerë e siguruar nga i pandehuri dhe familja e tij.
Berisha ende në proces gjykimi
Historia e Bandës së Durrësit kulmi e rënia e perandorisë
Ndërsa është duke luftuar për të çliruar pronat nga konfiskimi i tyre, Lul Berisha vazhdon të jetë në proces gjykimi për veprat penale për të cilat akuzohet. Akuzohet së bashku me 15 shokët e tij të grupit për vepra të rënda penale, që nga krijimi i organizatës kriminale, vrasjeve të ndryshme, rrëmbim personi e deri tek armëmbajtja pa leje. Të gjitha këto akuza, sipas prokurorisë, janë zbardhur me ndihmën e të penduarit të kësaj dosjeje Adriatik Coli, i cili prej shumë vitesh ka qenë pjesë e kësaj "bande". Për disa javë rresht Coli ka vijuar dëshminë e tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda në kryeqytet, ku ai ka radhitur në mënyrë të njëpasnjëshme krimet e kryera, sipas tij, nga banda dhe anëtarë të saj. Ndërsa i penduari Coli ka vijuar dëshminë, ku mbrojtësit ligjorë dhe vetë të pandehurit kanë pretenduar në mënyrë të vazhdueshme se i pandehuri Coli është manipuluar nga prokuroria dhe gënjen gjykatën.
PASURITË E KONFISKUARA
LULZIM BERISHA
Pasuria "Arë", 6000 m2, në ish-N. B. Frutore Durrës, e blerë nga Lulëzim Berisha në datën 08.02.2005.
Pasuria "Arë", 9000 m2, në ish-N. B. Frutore Durrës, e blerë nga Lulëzim Berisha në datën 27.12.2003.
Pasuria "Arë", 4000 m2, në ish-N. B. Frutore Durrës, e blerë nga Lulëzim Berisha në datn 26.12.2003.
VALBONA BERISHA
Pasuria "Ullishte", 1500 m2, në fshatin Shkallnuer të rrethit Durrës, e blerë nga shtetasja Valbona Berisha, në datën 23.03.2004.
LULJETA BERISHA
Konfiskuar 25 % e objektit të ndërtuar mbi pasurinë 3300 m2, në lagjen nr. 17 të qytetit të Durrësit.
Kulla Veriore, 1184 m2, apartamente gjithsej.
499 m2 në kullën qendrore sipërfaqe banimi.
1643 m2 sipërfaqe banimi në kullën jugore.
Dyqan me sipërfaqe prej 600 m 2,
23 garazhe të ndryshme automjetesh
Automjeti fuoristradë, marka "BMW" X5 me targa DR 4500 D.
Konfiskimin i sipërfaqes prej 234 m2, e quajtur me emrin "Kaldaja".