E Diel, 1 Nëntor 2026

Vritet në mes të qytetit 60-vjeçari, shkak vendi i tregtimit

27/01/2010  Viktima Artan Murati, prangoset Mustafa Lamaj. Shtetasit në konflikt prej kohësh
LUSHNJE- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Lushnjës në orët e pasdites së të martës. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit të Lushnjës pikërisht në lagjen “Skënder Libohova”. Ka qenë Mustafa Lamaj, ai që ka qëlluar tre herë me thikë shtetasin Artan Murati. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, dy shtetasit Murati dhe Lamaj kane pasur një debat të fortë lidhur me një vend tregtimi të vendosur përballë godinës së bashkisë Lushnjë. Debati ka qenë i fortë dhe i ashpër deri në fjalë fyese e kërcënuese mes tyre derisa Lamaj ka nxjerrë një thikë dhe e ka qëlluar pas shpine shtetasin 60-vjeçar Murati. Kanë qenë tre goditje ato që i kanë sjell plagë të rënda 60-vjeçarit duke bërë që të vdiste pa mbërritur në spitalin e Lushnjës. Sapo ka kryer krimin autori ka tentuar të largohet, por policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes duke bërë të mundur arrestimin e tij brenda pak minutash. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes viktima kishte prej shumë vitesh një dyqan në të cilin tregtonte materiale shkollore, tekste dhe kinkalerie, ndërkohë në krah të dyqanit të tij ndodhje një tavolinë, e cila mbahej si tezgë për tregtim ambulant nga autori i vrasjes. Edhe ky i fundit kishte me muaj të tërë që bënte tregti në këtë vend dhe gjatë kësaj kohe kishin lindur konflikte të herëpashershme mes të dyve. Pronari i dyqanit e shihte si rival në tregti dhe përherë i kujtonte autorit Lamaj se duhej të largohej që aty, pasi jo vetëm që i tërhiqte klientët, por edhe i zinte rrezen jashtë dyqanit. Këto konflikte kishin ndodhur disa herë dhe autori i ngjarjes ishte shoqëruar disa herë në polici dhe më pas ishte lënë i lirë. Por këto tentativa të bluve për të qetësuar situatën nuk kanë bërë asgjë të mundur, duke bërë që sherri të mbetet i hapur. Policia sapo ka shoqëruar për në spital të vrarin dhe ka njoftuar të afërmit, ka shoqëruar për në ambientet e komisariatit autorin e vrasjes Mustafa Lamaj 51 vjeç. Të dy shtetasit si autori dhe viktima ishin prindër fëmijësh dhe që të dy punonin për të siguruar të ardhura me qëllim përballimin e jetesës, por debati i ditës së djeshme mes tyre i kaloi caqet duke sjellë këtë ngjarje që tronditi qytetin e Lushnjës. Policia ka mbyllur autorin në ambientet e izolimit, ndërsa mbi të do të rëndojnë dy akuza, si ajo e vrasjes me paramendim dhe mbajtje të armëve të ftohtë pa leje. Pas dy ditësh autori i vrasjes do të dalë përpara togave të zeza ku pritet t’i komunikohet masa e arrestit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›