Vajza vret nënën që e birësoi nga shtëpia e fëmijëve
27/01/2010 Të gjithë e dinin që 65-vjeçarja keqtrajtohej, 29-vjeçarja person problematik me precedentë penalë
POGRADEC- Një nënë 65 vjeç, Shpresa Angjo, nga qyteti i Pogradecit u nda përfundimisht nga jeta në orët e para të mëngjesit, kur ora nuk kishte shkuar ende 9.00. Vdekja e saj la të tronditur jo vetëm të afërmit e të moshuarës, por gjithë banorët e qytetit të Pogradecit. Gruaja 65-vjeçare u vra nga bija e saj, Anila Angjo, 29 vjeç, të cilën e kishte birësuar nga shtëpia e fëmijës në Shkodër, kur kjo vajzë kishte qenë foshnjë vetëm 1 vjeç. Dashuria dhe ngrohtësia e kësaj nëne, që rritën këtë foshnjë të braktisur, mëngjesin e së martës u shpërblyen me një plumb që doli nga gryka e një pistolete, të cilën 29-vjeçarja e mbante pa leje që prej kohësh, të fshehur në shtëpinë ku jetonte. Gjithçka ndodhi pas një zënke banale, siç kishte ndodhur edhe më parë, ku sa herë që 65-vjeçarja përpiqej të sillte bijën e saj në rrugën e zotit, merrte nga 29-vjeçarja keqtrajtimin fizik. Këtë të vërtetë (marrëdhënien nënë-bijë) e dinin të gjithë, por të gjithë qëndronin të heshtur…
Të gjithë e dinin, por heshtnin
Tragjedia e ndodhur mëngjesin e së martës u bë e njohur edhe nga burime pranë Drejtorisë së Policisë të qarkut Korçë, e cila po punon për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që sollën vrasjen e 65-vjeçares, Shpresa Angjo. Për policinë e Pogradecit, vajza 29- vjeçare, ishte e njohur si një person problematik që konsumonte alkool dhe lëndë narkotike; që shpesh herë bëhej pjesë e vjedhjeve në këtë qytet; që jo rrallë herë prishte rendin dhe qetësinë në lagjen ku jetonte; dhe që ishte shoqëruar disa herë në komisariat si e dyshuar për vepra të ndryshme penale. Ndërkohë për banorët e Pogradecit, veçanërisht, për banorët e lagjes, vajza 29 –vjeçare njihej për agresivitetin e saj, për dhunën që ushtronte ndaj dy bashkëshortëve Angjo, për shqetësimet që sillte edhe për të tjerët, madje tani që tragjedia ndodhi, që të gjithë shprehen: “E dinim që mund të ndodhte edhe kështu…”, por që të gjithë qëndruan të heshtur, ndërsa tashmë gjithkush gjendet përpara një vdekjeje të paralajmëruar...
Marrëdhëniet nënë-bijë
Jeta e 65-vjeçares u pre në mes mëngjesin e së martës. Gjithçka ndodhi kur bija e saj, Anila Angjo, ishte në gjendje të dehur. (Të pakët ky ka qenë versioni i parë nga policia). Në raste të tilla, gjithnjë ndodhnin zënka dhe grindje mes dy grave (Anilës dhe Shpresa Vangjos). Komshinjtë dhe të afërmit e 65-vjeçares tregojnë se Shpresa Angjo, edhe pse e dinte që do të keqtrajtohej nga e bija e saj, sërish nuk rrinte dot pa i thënë: mos pi alkool, mos rri rrugëve, mos vidh e shumë mos… të tjera, sepse ajo gjithnjë kishte dëshiruar që vajza e saj të ishte një vajzë e mbarë, të krijonte familje dhe prej kësaj vajze të kishte nipër e mbesa. Të afërmit tregojnë që, edhe pse vajza e saj ishte kthyer në një njeri problematik, përsëri e donte ashtu si edhe më parë, njësoj si të ishte vajza e saj e vërtetë biologjike. Asnjëherë nuk kishte pasur guximin ta denonconte në polici, sepse shpresonte se një ditë Anila do të bëhej tjetër njeri. (Ndoshta edhe mund të ketë pasur frikë, se pas denoncimit, marrëdhëniet e tyre do ta acaroheshin edhe më keq). Jo rrallë herë të afërmit e 65-vjeçares e gjenin atë me sy të nxirë, të rrahur dhe të keqtrajtuar, por gjithnjë gjendeshin mes dilemës: të shkonin në policia apo të prisnin se çfarë do të ndodhte më tej? Dhe ajo që pritej ndodhi.
Vrasja
Sipas policisë, ngjarja zuri fill rreth orës 9.00 të mëngjesit. Fill pas zënkës me nënën e saj, 29- vjeçarja, Anila Angjo, e ndodhur në gjendje të dehur, kishte shkuar dhe kishte marrë pistoletën, të cilën e mbante pa leje dhe kishte qëlluar mbi gjoksin e nënës së vet; plumbi kishte përshkuar zemrën e kësaj nëne, duke e lënë atë të vdekur në vend. Pas këtij akti makabër, vrasësja kishte tentuar të dilte nga shtëpia dhe të largohej nga vendi i krimit, të braktiste gjithçka që kishte kryer deri në atë kohë, pikërisht në këtë kohë kishin mbërritur forcat e policisë. Komshinjtë që kishin dëgjuar krismën e armës, kishin parandjerë të keqen që mund të kishte ndodhur. Që në çastin e parë kishin vënë në dijeni komisariatin e policisë. Ishte hera e parë që jepnin ndihmë për një nënë të dashur, por fatkeqe…