E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Cërrikut, shtyhet seanca, avokatja lë sallën

Është shoqëruar me debate ndërmjet prokurorit e avokates seanca e radhës ndaj Bandës së Cërrikut, të akuzuar për vrasje ne 6 punonjësve të Gardës së Republikës në vitin 1997. Për pasojë seanca është shtyrë pasi, avokatja e të pandehurve ka braktisur sallën. 

TIRANË-Seanca e radhës ndaj anëtarëve të "Bandës së Cerrikut", të akuzuar për vrasjen e 6 punonjësve të Gardës së Republikës dhe plagosjen e disa të tjerëve në vitin 1997, në Cërrik, është shoqëruar sot me debate të shumta ndërmjet palës mbrojtëse dhe prokurorisë. Këto debate patën si shkak momentin kur prokurori i çështjes, Anton Martini, filloi të pyesë të pandehurin Llazar Bicja lidhur me pjesmarrjen e tij, gjatë trazirave të marsit "97 në Vlorë, në një mbledhje të Komitetit të Shpëtimit, në një kohë që nga i pandehuri është deklaruar se atë kohë ndodhej në Vlorë për arsye familjare. Vjollca Pustina, avokatja e të pandehurit Llazar Bicja, duke i konsideruar të parregullta pyetjet e prokurorit ndaj klientit të saj, braktisi sallën e Gjykatës së Krimeve të Rënda, çka solli ndërprerjen e procesit. Si të pandehur në këtë proces janë shtetasit Llazar Bicja, Meti Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi, të cilët akuzohen si autorë të masakrës së Cërrikut, ngjarje kjo e ndodhur me 23 mars të vitit 1997, ku mbetën të vrarë me armë zjarri 6 punonjës të Gardës së Republikës si dhe u plagosën 9 punonjës të Policisë së Shtetit. Disa nga të pandehurit e çështjes kanë qenë anëtarë të të ashtuquajturave "Komitete të Shpëtimit", të ngritura në kohën e trazirave të vitit 1997 në disa qytete të vendit. (m.a/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›