E Diel, 1 Nëntor 2026

Vau i Dejës/ Promovohet filmi dokumentar kushtuar Ndre Mjedës

Banorë të shumtë të bashkisë së Vaut të Dejës, kanë qënë pjesëmarrës të një aktiviteti promovues të filmit dokumentar kushtuar Dom Ndre Mjedës, i cili është realizuar  nga grupi realizues, producent Dom Nikë Ukgjini, me skenar të studiuesit të afërt në vite të Mjedës, Mentor Quku, regjisorit Gjovalin Gjoni, si dhe të aktorit kryesor që luan Mjedën, fotografit veteran shkodran Tonin Gega, i cili ka një ngjashmëri të theksuar me Mjedën. Të pranishëm në këtë aktivitet të organizuar në sallën e kulturës së Vaut të Dejës kanë qënë edhe drejtuesit e bashkisë së këtij qyteti, intelektualë si dhe autoritete të tjera të kulturës dhe artit të ardhur nga Shkodra dhe më gjërë. Në fjalën e tij të hapjes, producenti i këtij dokumentari, Dom Nik Ukgjini, i cili përpos filmit dokumetar të Ndre Mjedës është i njohur edhe për autorësinë edhe të pesë filmave të tjerë dokumentarë tha se," ndjente kënaqësi që ai me grupin realizues arritën të përfundojnë me sukses këtë dokumentar duke i dhënë mundësi popullit shqiptar dhe më gjërë të kuptojnë më mirë se, kush ishte poeti dhe kleriku Ndre Mjeda, të cilin e përjetësuan në një film dokumentar kushtuar jetës dhe vepres së tij”. Ekipi realizues i këtij dokumentari zgjodhi Vaun e Dejës për të bërë promovimin e tij, edhe për faktin se poeti i njohur, krahas Shkodrës ku ai ka lindur dhe është rritur, një pjesë të mirë të jetës së tij e ka kaluar edhe në territorin e bashkisë së Vaut të Dejës, si në Mjedë dhe shumë fshatra për rreth tij, por edhe në famullinë e Kuklit, ku ai ka shërbyer për disa vite. Sipas tij,  filmimet për realizimin e dokumentarit janë realizuar pikërisht në këto zona, por njëkohësisht, një pjesë e tyre janë bërë të mundura të realizohen edhe  jashtë vendit, si në Chatenau des Alleux, pranë Lavalit në Francë, në Kraljevicë të Dalmacisë ku ka përfunduar studimet filozofike, në Krakova të Polonisë, ku përfundoi studimet teologjike etj. Për 42 minuta që përmbante edhe minutazhi i këtij dukumentari, të pranishmit e shumtë e kanë ndjekur atë me shumë interes, ndërkohë që organizatorët theksuan se ky film dokumetar, shërben më së miri për transmetimin e ideve dhe vlerave kulturore atdhetare dhe arsimore, tek brezat e rinj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›