E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali, klub nate mbi murin rrethues të kalasë së Tiranës

Skandal me kalanë e Tiranës. Një subjekt privat ka nisur punimet për ndërtimin e një diskoje dy katëshe mbi murin rrethues të saj. Në mënyrë paradoksale subjekti është i pajisur me lejen e duhur nga Instituti i Monumenteve. 

TIRANE- Prej disa javësh një subjekt privat ka filluar punimet për ndërtimin e një klubi nate brenda rrethimit të kalasë së Tiranës, shumë afër qendrës së kryeqytetit. Ndonëse zona është cilësuar monument kulture, punimet vijojnë si gjatë ditës ashtu edhe gjatë natës. Në mënyrë paradoksale Instituti i Monumenteve të Kulturës ka pajisur me lejen e duhur subjektin privat për fillimin e punimeve në një objekt të shpallur monument kuture. Burime konfidenciale bëjnë të ditur për News24 se subjekti privat ka lejen e Institutit të Monumenteve të Kulturës për kryerjen e disa punimeve por jo për ndërtimin e një diskoje 2 katëshe.
Para pak kohësh inspektorati i ndërtimit pezulloi punimet por më pas lejoi vazhdimin e tyre me pretendimin se subjekti ka lejen përkatëse. Ndonëse për këtë problem janë vënë në dijeni autoritetet përgjegjëse, deri më sot nuk është marrë asnjë masë konkrete për pezullimin e punimeve mbi murin e kalsë së Tiranës.
Pronarët e subjektit privat thonë se kanë respektuar të gjitha procedurat ligjore për tu pajisur me leje nga Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve si dhe nga njësia bashkiake numër 2. Ata sigurojnë se në atë hapësirë nuk do të ndërtohet asnjë disko e re por po punohet për restaurimin e lokalit ekzistues duke mos cenuar vlerat e trashëgimisë kulturore.
Rreth një vit më parë, për të mos cenuar monumentin e kulturës dhe rrënojat historike të cilat u zbuluan së fundmi, Bashkia e Tiranës pezulloi punimet për ndërtimin e unazës së vogël.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›