E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda e Durrësit. Avokati: “Kujtim Buna nuk u mbajt në spital prej të penduarit”

Debate në seancë për gjendjen shëndetësore të një prej të pandehurve. Mungon avokati Icka, Gjykata relacion Dhomës Kombëtare të Avokatisë

Laureta Rryçi

Tiranë - Seanca e radhës për gjykimin e bandës së Durrësit ka vijuar me debate mes palëve për shkak të gjendjes shëndetësore të një prej të pandehurve. Sipas avokatit, i pandehuri Kujtim Buna ndodhej prej tri javësh në gjendje të rëndë shëndetësore, mirëpo në kundërshtim me ligjin, ai nuk është lejuar të shtrohet në Spitalin e Burgut për shkak se aty mbahet edhe i penduari i kësaj bande. Deklarata e avokatit është kundërshtuar nga Anton Martini, një prej prokurorëve të çështjes. Ky i fundit pohoi në sallën e gjyqit se me këtë informacion po njihej vetëm në atë moment. Sakaq, kryesuesi i kolegjit penal, Gurali Brahimllari, kërkoi që të shqyrtohej gjendja shëndetësore e të pandehurit Buna dhe, nëse ishte e nevojshme, të kurohej edhe në Spitalin e Burgut.
Shtyrja
Procesi nuk ka mundur të vijonte as dje me fazat e parashikuara. Kësaj here mungonte avokati Riza Icka, që në këtë proces përfaqëson të pandehurin Indrit Taullaj. Icka kishte sjellë një dokument shëndetësor për mungesën e tij. Dokumenti që ai dorëzoi nuk iu duk bindës gjykatës dhe në fund të procesit vendosi që të dërgojë një relacion në Dhomën Kombëtare të Avokatisë, për të marrë masë disiplinore ndaj tij. Ndërsa seanca e radhës u la të vijohej të enjten e ardhshme, duke ua pezulluar afatet e paraburgimit të pandehurve deri në atë datë.
Dosja
Me cilësinë e të akuzuarit si anëtarë të bandës së Durrësit, prokuroria ka marrë 16 persona, të cilët akuzohen për disa episode të rënda kriminale, ndër të cilat edhe disa vrasje të ndodhura vite më parë në Durrës. Sipas të dhënave të prokurorisë, në fillimet e saj, në vitin '97, banda e Durrësit drejtohej nga i pandehuri Lulzim Berisha. Më pas, me kalimin e kohës, anëtarët e saj u përfshinë në konflikte me njëri-tjetrin, duke krijuar grupe rivale. Shumë prej të akuzuarve janë arrestuar në vitet e fundit nga forcat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila për disa vite hetoi çështjen penale ndaj tyre.

Prokuroria: Vrasjet e bandës së Durrësit

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzën për anëtarët e bandës së Durrësit për një sërë vrasjesh. Prokuroria për Krimet e Rënda, më datë 03.04.2005 ka regjistruar procedimin penal nr. 35 për veprat penale të: “vrasjes me paramendim në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasit Klodjan Saliu; “mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda” dhe “krijimit të grupit të strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 78, 25, 278/4 dhe 333/a të K. Penal. Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë, më datë 09.03.2006, pasi ka rifilluar hetimet dhe ka regjistruar procedimin penal nr. 34 në lidhje me ngjarjen e datës 17.10.1998, ku ka mbetur i vrarë shtetasi Dritan Sallaku dhe janë plagosur Ilir Nela e Agim Rexhepi, dhe ky procedim penal i është bashkuar procedimit penal nr. 35 të vitit 2005. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka regjistruar procedimin penal nr. 506 në lidhje me ngjarjen e datës 29.10.1998 në lidhje me vrasjen e shtetasve Viron Curri, Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, si dhe procedimin penal nr. 274 në lidhje me ngjarjen e datës 10.07.2000 në lidhje me vrasjen e shtetasit Dritan Disha. Zinxhiri i vrasjeve për të cilat akuzohet kjo bandë shkon edhe më tej.

6 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›