Kamioni del jashtë rrugës, një vdes dhe një plagoset
Gjirokastër - Një aksident i rëndë, me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri, ka ndodhur dje në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë. Burime policore bënë me dije se viktima është Fatjon Aliaj, shofer i maunes, dhe është plagosur Ilirjan Guri, i cili ishte pasagjer në këtë maune. Aksidenti i rëndë automobilistik ka ndodhur dje pasdite, në vendin e quajtur Qafë-Muzinë. Sipas burimeve të policisë, bëhet e ditur se shkak i këtij aksidenti ka qenë dalja e maunes nga rruga dhe rënia e saj në greminë. Dalja nga rruga në kthesat e forta të Qafë-Muzinës ka rezultuar fatale për Fatjon Aliajn, i cili është dërguar në morgun e Sarandës, ndërsa Ilirjan Guri është dërguar me urgjencë në Spitalin e Sarandës për të marrë ndihmën mjekësore. Maunia me targa të Beratit 2868 B ka qenë e ngarkuar me xhama për llogari të një firme private nga Berati dhe po udhëtonte në drejtim të Sarandës. Të dy shtetasit që ndodheshin në maune janë nga Berati.
Grindja e çastit, i sëmuri mendor plagos me thikë 60-vjeçarin
Durrës – Dje pasdite, në Lagjen Nr. 18 të qytetit të Durrësit, u plagos me thikë Mehmet Hoxha, 63 vjeç. Burime zyrtare nga Policia e qytetit bregdetar thanë për gazetën “Albania” se autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje është Muhamed Kokomani, 40 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen 18 në Durrës, i njohur si person me të meta mendore. Ngjarja, sipas tyre, ka ndodhur për motive të dobëta mes dy personave. Ata ishin zënë në fillim mes tyre dhe më pas 40-vjeçari ka qëlluar me thikë ndaj Hoxhës. Policia tha se i dëmtuari ndodhet në Spitalin rajonal të qytetit ku po merr ndihmën mjekësore. Shërbimet e Komisariatit të Policisë së Durrësit, kanë bërë të mundur kapjen e autorit menjëherë pas ngjarjes së ndodhur.
Operacioni “Autostrada”, bllokohen 5 automjete luksoze
Fier - Operacioni i koduar me emrin “Autostrada” ka bërë të mundur që të kryhet bllokimi i 5 automjeteve luksoze, prodhim i viteve të fundit. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Fierit për gazetën “Albania”, mësohet se gjatë zhvillimit të këtij operacioni janë bllokuar katër automjete të tipit “BMW” dhe një automjet tip “Benz”. Policia ka kryer bllokimin e këtyre automjeteve, ndërkohë që u ka kërkuar drejtuesve dokumentet përkatëse që të vërtetojnë pronësinë e tyre. Ato kanë rezultuar të vjedhura dhe ndaj poseduesve të tyre ka filluar procedimi në gjendje të lirë, pasi akuzohen për trafikim të mjeteve motorike.
6 Shkurt 2009