E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Tetori ishte më i shtrenjtë për konsumatorët

10/11/2009  Ndryshimi vjetor i çmimeve të konsumit 2.3 për qind. Vjet ishte 2,8 për qind

Shqiptarët kanë shpenzuar më shumë për ushqimet gjatë muajit tetor. Çmimet e konsumit pësuan një rritje prej 0.4 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, ndryshimi vjetor në muajin tetor është 2.3 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.8 për qind. “Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një rritje prej 0.4 për qind. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 2.6 për qind vërehet në nëngrupin “fruta”. Rritje çmimesh vërehen edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” ku mund të veçohen rritjet në nëngrupet “sheqer, reçel, mjaltë” 1.5 për qind “qumësht djathë e vezë”1.5 për qind, “peshk” 0.2 për qind”, - theksuan ekspertët. Po kështu rritje pësoi indeksi i grupit “Shërbimi arsimor” prej 2.5 për qind, ku mund të përmendim rritjen e tarifave të pagesës për universitetet private me 5.4 për qind. Gjithashtu, grupi “Pije alkoolike dhe duhan” pësoi rritje prej 1.0 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit u rrit me 1.7 për qind. Gjatë muajit tetor çmimet e grupit “Veshjeve dhe këpucë” shënuan një rritje prej 0.9 për qind. Indeksi i grupit “Transport” shënoi një rritje prej 0.1 për qind. Ndër grupet që kanë pësuar ulje përmenden “zarzavate përfshirë patatet” që gjatë këtij muaji u ulën me 0.9 për qind. Gjatë këtij muaji çmimet e karburantit pësuan një ulje krahasuar me muajin e mëparshëm dhe konkretisht. Çmimi i naftës u ul me 1.3 për qind dhe çmimi i benzinës u ul me 1.4 për qind. Në analizën e tyre edhe ekspertët e Bankës së Shqipërisë vërejnë se inflacioni i sektorit të mallrave të tregtueshëm është rritur me 1.6 pikë përqindje nga fillimi i vitit nën ndikimin e prirjes nënçmuese të kursit të këmbimit. Ndërkohë, inflacioni bazë dhe ai i sektorit të mallrave të patregtueshëm shënuan përkatësisht 1.0 dhe 0.8 për qind në tremujorin e tretë, duke dëshmuar për një ambient të brendshëm makroekonomik joinflacionist. Banka e Shqipërisë ka qenë e kujdesshme në zbatimin e nivelit të stimulit monetar, duke synuar në radhë të parë përmbushjen e objektivit të saj kryesor në ruajtjen e stabilitetit të përgjithshëm makroekonomik.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›