E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Durrësit, Dëshmitarja Genta Jaho: “Motra ime i ngriti pritë Marsel Sotirit”



TIRANË - Seanca e djeshme për bandën e Durrësit është zhvilluar me dyer të mbyllura. Mësohet se është thirrur për të dëshmuar në këtë seancë të zgjatur mbi pesë orë Genta Jaho, e motra e Valbona Jahos, që sipas prokurorisë, është përdorur për një ekzekutim nga anëtarët e bandës së Durrësit. Dëshmitarja Genta Jaho rrëfeu dje si u përdor e motra, Valbona, për të nxjerrë në pritë Marsel Sotirin. Për disa orë rresht ajo dëshmoi me dyer të mbyllura para të pandehurve. Ndërkohë që është cilësuar dëshmitare e mbrojtur e Drejtësisë. Sipas burimeve nga brenda sallës, Jaho ka drejtuar gishtin tek i pandehuri Indrit Taullai, duke e akuzuar për rrëmbimin e motrës dhe përdorimin e saj si karrem për të nxjerrë në pritë Marsel Sotirin. Vajza me origjinë nga Skrapari është shprehur se Taullai jo vetëm i ka marrë motrën, por edhe e ka kërcënuar se do ta vriste nëse bënte kallëzim në polici. Valbona Jaho ka qenë e dashura e Klodian Saliut. Ky i fundit, tashmë viktimë, edhe pse të dashurën e tij nuk ngurroi ta dërgonte te Marsel Sotiri së bashku me motrën. Madje ai e porositi që të bëhej e dashura e Marsel Sotirit duke qëndruar disa ditë me të në një shtëpi të marrë me qira në plazh. Me vete Valbona Jaho ka pasur edhe foton e Marsel Sotirit, që ia dha Saliu. Ditën e ngjarjes, Valbona Jaho ka qenë së bashku me motrën e Lulzim Berishës në kafe, ndërsa është përgatitur terreni. Sipas burimeve, Valbona ka pirë kafe me Marsel Sotirin dhe sa është larguar prej tij 100 metra larg ka dëgjuar të shtëna. Pas këtij momenti Indrit Taullai e ka marrë peng dhe e ka kërcënuar me vdekje nëse tregonte çfarë ndodhi. Dëshmitarja ka pohuar dje gjithçka që tha një seancë më parë ish- oficeri i SHISH-it për Durrësin, Albert Strati. Nuk ka ndryshuar gjë nga thëniet. Është shprehur se ka vajtur për të bërë kallëzim, por më pas është tërhequr, pasi Indrit Taullai, në prani edhe të Nard Kokës, e ka kërcënuar. Emri i Genta Jahos është përmendur edhe gjatë dëshmisë së një ish-inspektori policie në Durrës, Albert Strati. Ai ka dëshmuar se rreth 2001-shit ka kontaktuar me një vajzë me emrin Genta Jaho, e cila kërkonte të bënte kallëzim penal ndaj dy shtetasve, Klodian Saliu i vrarë në 2005-n si kapo i bandës së Durrësit dhe ndaj Indrid Taullahut, i cili aktualisht është i pandehur në këtë proces. Vajza, sipas inspektorit, dyshonte se motra e saj ishte marrë peng nga anëtarë të bandës. Ndërkohë, gjykata është në pritje të dëshmisë tjetër po kaq të rëndësishme për procesin, dëshmisë së Valbona Jahos. Mbi të pandehurit e së ashtuquajturës banda e Durrësit rëndojnë akuzat për 8 vrasje të kryera në kuadër të organizatës kriminale dhe disa tentativa vrasjeje apo atentate.

11 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›