E Hënë, 2 Nëntor 2026

“CONCORD”, klononin dhe vidhnin karta krediti, shkatërrohet rrjeti

Policia e Tiranës ka arrestuar gjatë aksionit tetë persona të dyshuar

Artan CENA
TIRANË - Shkatërrohet një rrjet kriminal që klononte dhe vidhte karta krediti, që më pas i përdornin për shërbime të ndryshme online, por kryesisht për prerjen e biletave të udhëtimit me avionë. Në pranga janë vënë tetë persona, shumica prej të cilëve punonjës të disa kompanive ajrore në vend. Ka qenë Policia e Tiranës që gjatë një konference për shtyp ka bërë të ditur se gjatë operacionit të koduar “Concord” ka ndaluar të dyshuarit dhe ka bllokuar një sërë provash materiale. Ndaj të arrestuarve, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka dhënë masat e sigurisë, “arrest me burg”, për veprën penale të “mashtrimit kompjuterik”. Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësja e Policisë së Tiranës, Alma Katragjini, së bashku me krerët e grupit të hetimit ka bërë të ditur se arrestimi i të dyshuarve është bërë pas një hetimit prej më shumë se gjashtë muajsh. Denoncimet ndaj të ndaluarve kishin ardhur nga disa kompani ajrore që operojnë në Shqipëri, tha policia. Ata kishin dyshuar se bileta online po bliheshin me karta të parregullta dhe u janë drejtuar uniformave blu duke bërë dhe kallëzimin.
Të arrestuarit
Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë të ditur se në pranga janë vënë, Zenel Buchala, 39 vjeç, banues në Tiranë dhe Ken Kormani, 45 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu të arrestuar janë dhe Arjan Troka, 38 vjeç, banues në Tiranë, Ilir Arapi, 45 vjeç banues në Tiranë, Erjon Jaupllari, 22 vjeç, banues në Tiranë. Të arrestuara janë dhe tre femra. Ato janë, Etleva Minxhozi, 44 vjeçe, banuese në Tiranë, Elizabeta Bengasi, 26 vjeçe dhe Flora Nikaj, 33 vjeçe, edhe këto banuese në Tiranë. Ndaj të gjithë personave të mësipërm, me kërkesë të prokurorisë, nga gjykata është dhënë masa e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale të “mashtrimit kompjuterik”. Aksioni është zbatuar nga efektivët e Sektorit Kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës. Për veprimtarinë e kryer nga këta persona, uniformat blu kanë marrë mbi 100 kallëzime nga kompani fluturimesh që kanë pësuar dëme të konsiderueshme në qindra mijëra euro për shkak të prerjes së biletave të udhëtimit me karta bankare të dyshuara të vjedhura apo të klonuara.
Hetimet
Policia tha se të arrestuarit dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjerin, për më shumë se një vit kanë kryer veprime me karta bankare, te cilat dyshohen se janë të vjedhura apo të klonuara. Nga hetimi i kryer ka rezultuar se këto karta, të cilat janë dyshuar të vjedhura apo të klonuara, janë përdorur në sisteme kompjuterike, të cilat përdoreshin për të prerë bileta udhëtimi të linjave ajrore në sistemin “online”. Nga hetimi është mësuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të ndaluarit kanë kryer shpërndarjen e biletave të udhëtimit, të cilat ishin prerë në agjencitë e udhëtimit, kryesisht në Tiranë, por dhe në qytete të tjera. Shpërndarja e tyre është bërë nëpërmjet bashkëpunimit mes tyre. Këto bileta udhëtimi ishin prerë nëpërmjet sistemit “online” dhe me karta bankare, të cilat dyshohen si të vjedhura apo të klonuara. Gjatë hetimeve 6-mujore nga strukturat Seksionit të Krimit Ekonomik Financiar në Drejtorinë e Policisë së Tiranë dhe Njësisë së Task-Forcës pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, janë kryer veprime hetimore në të gjithë Shqipërinë ku të arrestuarit kanë realizuar veprimtarinë e tyre.

Të arrestuarit
Zenel Buchala, 39 vjeç, banues në Tiranë
Ken Kormani, 45 vjeç, banues në Tiranë
Arjan Troka, 38 vjeç, banues në Tiranë
Ilir Arapi, 45 vjeç, banues në Tiranë
Erjon Jaupllari, 22 vjeç, banues në Tiranë
Etleva Minxhozi, 44 vjeçe, banues në Tiranë
Elizabeta Bengasi, 26 vjeçe, banuese në Tiranë
Flora Nikaj, 33 vjeçe, banuese në Tiranë

Sekuestrimet
5000 euro
Kompjuterë dhe laptopë, 18 copë
50 numra telefoni
20 aparate celular
2 mjete transporti

Thirrja
Policia e Tiranës fton të gjitha kompanitë ajrore, të cilat kanë pësuar dëme për shkak të prerjes së biletave me karta bankare të dyshuara të vjedhura apo të klonuara, për të kallëzuar pranë Seksionit Kundër Krimit Ekonomik Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Materialet i janë dërguar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.

Hetimet
Zjarri shkrumbon fabrikën e polisterolit
TIRANË - Një zjarr i madh ka përfshirë një fabrikë polisteroli në Tiranë pasditen e djeshme, rreth orës 16:00. Fabrika e përfshirë nga zjarri është pranë doganës në Laprakë, zonë me ndërtesa të tjera pranë. Menjëherë në vendngjarje janë grumbulluar policë e zjarrfikës, të cilët kanë filluar të shuajnë flakët dhe të mos lejojnë përhapjen e zjarrit, ndërsa mësohet se deri në këto momente nuk ka të dhëna për persona të lënduar. Kreu i zjarrfikësve, Laçi ka deklaruar se “nuk ka të lënduar në njerëz, dëmtimet në fabrikë janë shumë minimale”. Kreu i zjarrfikësve, Dilaver Laçi, deklaroi më tej se zjarri ishte i përmasave të mëdha. “Situata u vu në kontroll brenda disa minutash.

11 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›