Shpresa Beçaj: “Në Gjykatën e Lartë kanë ngrirë 7 mijë dosje”
Laureta Rryçi
Gjykata e Lartë në ditët e sotme po shqyrton dosjet civile të vitit 2007 dhe dosjet penale të vitit 2008. Ndërsa rreth 7 mijë dosje, që u përkasin ditëve të fundit, kanë “ngrirë” për shkak të mungesave në gjyqtarë që po vuan prej kohësh kjo gjykatë. Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, shfrytëzoi dje takimin me gazetarët në Ditën e Drejtësisë për t’u shprehur me tone shqetësuese për situatën aktuale në Gjyqësor. Numri një për Gjyqësorin ritheksoi faktin se në Gjykatën e Lartë është e nevojshme një reformë tepër e thellë. Ajo shpjegoi më tej se kishte bërë propozimet e saj personale për disa ndryshime në ligjin për Gjykatën e Lartë, për ndryshime në Kodin Penal dhe në Kodin Civil. Beçaj preku edhe çështjen e Konferencës Gjyqësore. Sipas saj, është përgjegjësi e gjyqtarëve nuk kanë arritur të bëjnë përzgjedhjet për në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Problemet
Me mijëra dosje kanë mbetur stok për shkak të mbingarkesës që është krijuar në Gjykatën e Lartë. Sipas numrit një të Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, aktualisht në këtë institucion ndodhen të regjistruara 7 mijë dosje. “Gjykata e Lartë ka 3 kolegje, një penal dhe dy civilë. Kolegji penal në këto momente është duke shqyrtuar dosjet e vitit 2008, ndërsa kolegjet civile janë ende te dosjet e vitit 2007”, - tha Beçaj. Më tej ajo shtoi se një gjyqtar në këtë shkallë duhet mesatarisht të ketë një ngarkesë prej 80 dosjesh në vit. Sipas Beçajt, në mbingarkesë ndikon edhe mungesa e avokatëve apo numri i dosjeve që Kushtetuesja ka rikthyer për gjykim. “Ne jemi gjykatë ligjshmërie. Gjykata e Lartë, në shumicën e rasteve duhet të japë vendime unifikuese, të cilat do t’u shërbejnë gjykatave të tjera në vend”, - tha Beçaj. Një tjetër pikë, e cila ka qenë problematike lidhet me Konferencën Gjyqësore.
Konferenca
Sipas Beçajt, Konferenca duhej të ishte mbledhur që në shkurt, por kjo varet vetëm nga vullneti i çdo gjyqtari. “Jemi të vetëdijshëm se Konferenca Gjyqësore duhet të mblidhet në bazë të votave të Kuvendit. Në këtë rast është politika ajo që ka krijuar një ngërç në Drejtësi. Unë u mundova ta zgjidh duke dhënë edhe mendimet e mia, por gjithsesi, mbetet vullneti i çdo gjyqtari për të dhënë zgjidhje përfundimtare. Në tentativën e parë për ta mbledhur konferencën ne dështuam, tashmë jemi në pritje të ligjit”, - vazhdoi Beçaj. Po kështu u prek edhe problemi që ka lidhje me emërimet e gjyqtarëve nga Këshilli i Lartë i Drejtësinë për vendet vakante në shkallët e para dhe të dyta. Sipas Beçajt, edhe në këtë pikë ka shumë për t’u bërë. Ajo shprehu mendimin e saj personal për emërimet, duke theksuar se KLD-ja, në mënyrë automatike, duhet të emërojë në vendet vakante në Apel gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, të cilëve u ka përfunduar mandati. Për këtë pikë, e cila është e parashikuar edhe në ligj, Beçaj tha se i ka shkruar mendimet në një letër drejtuar KLD-së.
Nishani zgjedh të festojë me të përndjekurit Ditën e Drejtësisë
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, zgjodhi dje të përndjekurit për të përcjellë mesazhin për Gjyqësorin. Sipas ministrit, në Ditën e Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë i kishte ftuar ata si përfaqësues të asaj pjese të shoqërisë shqiptare që më shumë se kushdo ofruan sakrificën e jetës së tyre për të drejtën, për lirinë, për një shoqëri që të ndërtohej si të gjitha vendet e tjera të po asaj hapësire që i takojmë që prej shekujsh, hapësirës europiane. “Deri sot janë trajtuar dhe përfunduar dosjet e dëmshpërblimit për 5 370 persona ish-të përndjekur politikë, me një vlerë financiare prej 20.145.078.144 lekë”, - tha dje Nishani.
11 Maj 2010