E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazetarja e Radio Korçës rrëmben kurorën e bukurisë

 

ALMA MILE

Mbrëmjen e së mërkurës, një brune me buzëqeshje të madhe i dorëzoi kurorën e bukurisë një biondeje me vështrim të kadifenjtë.

 Ertemiona Meidani, korçarja 18-vjeçare u shpall Miss Shqipëria 2009. Në këmbët e Torres Veneciane në Durrës u zhvillua edicioni i 11-të i konkursit të bukurisë "Miss Shqipëria". Këtë vit kurora e miss-it shkoi në Korçë. Atë e meritoi Ertemiona Meidani, 1,77 e gjatë. Siç ndodh rëndom, mes 31 vajzash që vinin nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga diaspora, Ertemiona nuk mendonte se do të mund të arrinte e para. Brune, bionde, me flokë të gjata, me kaçurrela, fizik të bukur e ambicioze, e rrethonin nga të katër anët, por duket se korçarja ia ka dalë mbanë. Seleksionim pas seleksionimi, vajza me numër 4, mundi të dalë në krye, duke lënë konkurrentet e tjera pas. Si të gjitha vajzat e moshës së saj, që janë të ndërgjegjshme për bukurinë e tyre, edhe Ertemiona, dëshironte ta vinte në dukje këtë dhuratë dhënë nga prindërit, apo natyra. Por jo vetëm kaq. Nuk ka pak që i shpëtoi emocionit të provimeve të maturës. Falë një burse që i siguron kurora e miss-it, ajo ka mundësinë që në shtator të nisë studimet në degën e gazetarisë, pranë Universitetit "Marin Barleti". Ajo shpreson shumë që të bëhet një gazetare e zonja, edhe pse që tani ka nisur që ta ushtrojë këtë profesion. Gjatë viteve të gjimnazit, ajo ka punuar pranë një radioje në Korçë, ku i është dhënë mundësia të zhvillojë aftësitë komunikuese me njerëzit. I pëlqen televizioni, bota e spektaklit dhe të kesh veç diplomës edhe një kurorë bukurie është padyshim më e thjeshtë. Për një vit, ajo do të mbajë mbi krye kurorën e bukurisë shqiptare, gjë që për të është përgjegjësi, pasi do t'i duhet ta përfaqësojë atë në të gjitha konkurset ndërkombëtare të bukurisë, ku konkursi që organizohet nga "Deliart association" ka të drejtën të marrë pjesë. Miss Shqipëria nuk ishte konkursi i parë në të cilin Meidani merrte pjesë. Një vit më parë ajo është shpallur Miss Korça. Në fund të garës, Almeida Abazi, Miss Shqipëria 2008, njëkohësisht dhe Miss Globe International, i kaloi kurorën e mbretëreshës së bukurisë pasardhëses së saj. Gjatë spektaklit të së mërkurës mbrëma u ndanë edhe të tjera çmime, si Miss Kinemaja, Miss Fotozhenija, apo Miss Buzëqeshja.

Prezantimi

Pas disa eksperimentesh, duket se organizatorët e Miss Shqipëria e kanë gjetur formulën e duhur të prezantimit. Për të disatën herë, ky konkurs bukurie, i vetmi i mbetur tashmë, u drejtua nga artisti Alert Çeloaliaj. Me zërin e ngrohtë dhe prezantimin e saktë, Çeloaliaj, është një nga elementët më të mirë të këtij spektakli. Por Miss Shqipëria është vetëm një nga angazhimet e Çeloaliajt. Vitet e fundit e kemi parë në skenën e teatrit, madje këtë vit ishte kandidat për çmimin Kult, për interpretimin në shfaqjen "Në Zvornik lashë zemrën time". Ndërkaq, zëri tij është tepër i njohur për të gjithë ata të apasionuar pas dokumentarëve të "Explorer". Kuriozitetet nga e gjithë bota vijnë nga përmes zërit të Alert Çeloaliajt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›