Senati italian: Emigracioni i paligjshëm është krim
Senati italian ka miratuar ligjin mbi emigracionin, si masë mbi sigurinë në vend. Ligji, që kushtëzon në mënyrë të ndjeshme qëndrimin e emigrantëve pa dokumente në Itali, u miratua me 157 vota pro, 124 kundër, me tre abstenime. Pozita italiane e koalicionit të Berluskonit votoi pro këtij ligji, ndërsa opozita kundër. Me ligjin e ri, quhet krim emigrimi i paligjshëm në Itali, miratohet tarifa për nënshtetësinë dhe patrullat. Që sot, ata që do të hyjnë apo qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në Itali kryejnë krim dhe mundet edhe të burgosen. Emigrantëve iu lejohet qëndrimi në qendrat e identifikimit vetëm për gjashtë muaj dhe po brenda kësaj periudhe mund të kryhet edhe dëbimi i tyre. Për të shfrytëzuar shërbimet publike, gjithkush duhet të ketë leje qëndrimi. Nëse dikush pa leje qëndrimi drejtohet për të kërkuar ndihmë në shërbimet civile, atëherë punonjësit e këtyre institucioneve janë të detyruar të denoncojnë, ose në rast të kundërt do të penalizohen ata vetë. Nënat e parregullta në dokumente, nuk mund të regjistrojnë fëmijët e tyre në regjistër (anagrafë) dhe ato pa pasaporta, nuk mundet as t'i njohin ata, duke i bërë menjëherë të adoptueshëm. Ligji i ri parashikon një dënim me burg deri në tre vjet ata që i strehojnë apo i japin me qira një dhomë të huajve që rezultojnë pa dokumente në kohën e rinovimit të qiradhënies. Sa për taksën e lejes së qëndrimit, kuota do të vendoset nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe e Ekonomisë në Itali e do të jetë midis 80 dhe 200 eurove. Veç kësaj do të bëhet ligjor dënimi për të ashtuquajturit "shkrimtarë", të cilët shkarravisin monumentet dhe pallatet me shkrime. Gjithashtu do të përgatitet një regjistër ku të regjistrohen të pastrehët.