Tri molotov tek ambasadat, autori mbyllet në psikiatri
Trazhgim Sokolaj
Gjykata e Tiranës ka nisur procesin gjyqësor me qëllim mbylljen në spital psikiatrik për 33-vjeçarin Dritan Gjepalaj, i akuzuar se tentoi të vendoste bombë në ambasadën e Iranit në Tiranë. Më 22 qershor 2009 në Gjykatën e Tiranës është regjistruar kërkesa me nr.1124, për dhënien e "masave mjekësore të dety-rueshme" për 33-vjeçarin, i cili u arrestua pranë bllokut të Ambasadave të huaja në Tiranë me tri bomba molotov në çantën që mbante me vete. Arrestimi ndodhi në kohën kur luhej finalja e Kampionatit Botëror, Francë-Itali, më 6 tetor 2006. Menjëherë pas arrestimit, Gjykata e Tiranës vendosi gjatë caktimit të masës së sigurisë "shtrim të detyrueshëm" në Spitalin e Burgjeve në Tiranë, për shkak se që në momentet e para i arrestuari shfaqi shenja të çrregullimit mendor. "Kam dashur të vendos bombë në Ambasadën Italiane...jo, tek Ambasada Iraniane", ka qenë pohimi i parë i Dritan Gjepalajt, menjëherë pasi u arrestua nga policia dhe po merrej në pyetje në dhomat e izolimit. Sqarimet e çrregullta dhe kaotike nga 33-vjeçari u bënë shkak për dyshime nga hetuesit, të cilët vendosën që gjatë hetimit të çështjes të zhvillojnë edhe një ekspertizë për verifikimin e gjendjes psikologjike të personit të pandehur. Të dy ambasadat që kishte përmendur i arrestuari, në fakt nuk rezultojnë fare në vendin ku 33-vjeçari u arrestua duke pritur me tri bomba në çantën që mbante me vete. Deklarimet kontradiktore të Gjepalajt kanë vijuar më pas kur ai ka thënë se nuk kishte konflikt me Ambasadën Iraniane por me Ambasadën Italiane, të cilës i kishte shitur një sipërfaqe toke. Prania e personit me bomba në çantë, i cili kishte ardhur nga Shijaku me qëllimin për t'i hedhur ato, u bë shkak për një alarm të fortë në Policinë e Tiranës dhe në selitë diplomatike që ndodhen në krah të rrugës së Durrësit në kryeqytet. Punonjësi i ruajtjes së objekteve që kryente shërbimin pranë bllokut të ambasadave ka lajmëruar sallën operative në ora 22:20 se një person i dyshimtë po afrohej drejt tij. Gjepalaj e kishte pyetur policin për adresën e Ambasadës Iraniane. Ndërkohë në vendin e ngjarjes për pak minuta ka mbërritur policia, e cila realizoi arrestimin e 33-vjeçarit nga Shijaku dhe sekuestrimin e bombave që ai mbante me vete.