E Shtunë, 31 Tetor 2026

Visar Zhiti, çmim letrar në Kosovë

 

Shkrimtari Visar Zhiti vlerësohet me çmimin "Beqir Musliu" në Kosovë. Ishte hera e parë që Ars Clubi i Kosovës me seli në Gjilan, në nderim të figurës dhe veprës së shkrimtarit Beqir Musliu, në bashkëpunim me Komunën, kanë themeluar tashmë një Çmimin Letrar, të njohur në Kosovë, që tashmë del për herë të parë jashtë kufijve të saj. Mësohet se për çmim konkurronin emra si Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Teki Dërvishi, Ibrahim Kadriu, Elvira Dones, Brunilda Zllami, etj. Pasi juria zhvilloi disa takime intensive, u konsultua me specialistë të letërsisë, e mori kontakte me lexues të shumtë, vendosi që për këtë edicion ky çmim t'i shkonte shkrimtarit Visar Zhiti me motivacionin: "Visar  Zhiti është krijues letrar, poet, prozator, eseist, publicist dhe personalitet i shquar i letrave shqipe e i jetës publike shqiptare. Ai është njëri ndër personalitet epiqendrore të letërsisë së sotme shqipe, i njohur, i përkthyer dhe i vlerësuar në Evropë e në Amerikë. I burgosur për shkak të poezisë, iu vunë prangat në moshë të re, kur po punonte si mësues në një fshat të Kukësit, duke punuar pastaj përdhunshëm në minierat e burgjeve. Pas rënies së komunizmit i botoi krijimet letrare, të shkruara fshehurazi nëpër burgje...". Më tej motivacioni vijonte me një deklaratë të kryetarit të shoqatës evropiane të juristëve-shkrimtarë, Gennaro Francione, i cili thotë se "është e tmerrshme të dënosh të tjerët për poezitë e tyre. Kështu më shumë jemi të vetëdënuar. Kush jemi ne që kemi të drejtë të dënojmë. Unë si jurist, e ul kokën tani dhe, po të kisha togën e gjykatësit këtu, do t'ia jepja Visar Zhitit". Viteve të fundit, vepra e Visar Zhitit i ka kaluar kufijtë shqiptarë dhe është vlerësuar dukshëm nga kritika e huaj. Ka fituar një varg çmimesh letrare, kombëtare e  ndërkombë-tare, në poezi e në prozë. Vitin që shkoi ai u shpall Shkrimtar i vitit, në Shqipëri, fitoi çmimin e madh ndërkombëtar "Mario Luzi" në Itali, kurse këto ditë u shpall edhe Qytetar Nderi i një qyteti italian. Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit, në Kosovë, Visar Zhiti u takua edhe nga krerë të shtetit kosovar, si Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Ministri i Kulturës, Valton Beqiri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›