E Diel, 1 Nëntor 2026

"Banda e Durrësit", avokatët i presin fjalën të penduarit

 

Armand Bajrami

Për herë të parë që prej dy vitesh kur dosja u dërgua në Gjykatën e Krimeve të Rënda, avokatët e "Bandës së Durrësit" u paraqitën dje të gjithë në gjyq. Megjithatë, edhe pse nuk mungonte asnjë prej mbrojtësve ligjorë, seanca dështoi dje tek Krimet e Rënda pas një rebelimi të papritur të avokatëve, që i ndërprenë fjalën të penduarit të bandës Adriatik Coli, i cili sapo kishte filluar dëshminë e tij. Seanca ndaj anëtarëve të bandës, filloi me normalitet e qetësi, por situata ndryshoi krejt brenda pak minutave. Momenti kur një nga prokurorët e çështjes i kërkoi gjykatës që të vazhdonte dëshmia e të penduarit dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë, Adriatik Coli, avokatët e pranishëm reaguan ashpër, duke "u kujtuar" për paligjshmërinë e një vendimi të mëparshëm nga gjykata. Ndërsa largimi nga salla i mbrojtësit ligjor të së pandehurit Selman Heti, u bë shkak për ndërprerjen në mes të saj. Gjykata e vlerësoi largimin e avokatit Vangjel Muzina si braktisje të sallës së gjyqit prej tij dhe vendosi njoftimin e Dhomës të Avokatisë për marrjen e masave disiplinore.Menjëherë pas prezantimit të palëve dhe evidentimit të faktit, jo fort të zakonshëm për këtë gjykim, se të gjithë avokatët ishin të pranishëm i pandehuri Selman Heti kërkoi të drejtën e fjalës. I pandehuri paraqiti përpara gjykatës kërkesën për ndryshimin e avokatit të tij mbrojtës. Këtë kërkesë ai e shoqëronte edhe më prokurën e avokatit të ri të zgjedhur prej tij. Për prokurorin Anton Martini, deklaratat e sjella nga i pandehuri nuk ishin gjë tjetër përveçse "tendencë e të pandehurve për zvarritjen e këtij gjykimi". Kjo, edhe për faktin se organi i akuzës evidentoi se të dyja deklaratat ishin nënshkruar në të njëjtën datë, nga i njëjti noter, çka linte sipas tyre vend për dyshim. Pas tërheqjes në dhomën e këshillimit trupa gjykuese vendosi të pranonte kërkesën e të pandehurit Heti, por jo për seancën e djeshme. "Gjykata merr në konsideratë vullnetin e të pandehurit Heti për revokimin e avokatit. Por, revokimi ka efekt pas njoftimit të avokatit tjetër", u shpreh para palëve kryesuesi Gurali Brahimllari, duke ligjëruar kështu vijimin e seancës. Për pak sekonda ngërçi në të cilin është futur ky proces u duk sikur i erdhi fundi, por sapo prokuroria kërkoi vazhdimin me pyetjen e të penduarit Coli, situata mori tjetër rrjedhë. Avokatët reaguan ashpër ndaj reagimit të gjykatës për vazhdimin e seancës, duke e cilësuar atë si jo të ligjshëm. "Dispozita të cilës iu referuat është për heqje avokati dhe jo për dorëheqje", iu drejtuar avokati Riza Icka, gjykatës. Ndërsa avokati Vangjel Muzina u ngrit nga banka e mbrojtës duke pohuar: "Nuk mund të qëndroj. Klienti im nuk më do. Unë nuk dua ta mbroj. Ai më ka ofenduar me këtë që ka bërë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›