Korçë, bizneset dy ditë afat për borxhet
KORÇE - Bizneset e Korçës i detyrohen doganave të këtij qarku rreth 131 milionë lekë. Burime nga dogana bëjnë të ditur se ky borxh është krijuar në vitet 1997 – 1998, por edhe më pas. Për t’i ardhur në ndihmë biznesit, qeveria në tetor të vitit të kaluar vendosi ligjin nr. 9986, i cili u jep mundësi subjekteve për faljen e gjobave dhe interesave. Sipas këtij ligji, subjektet që kanë detyrime të papaguara ndaj organeve tatimore kanë mundësi të përfitojnë nga falja e gjobave dhe kamatëvonesat, me kusht që t’u përgjigjen detyrimeve fiskale që kanë ndaj shtetit brenda 6 muajve. Kanë mbetur edhe dy ditë nga përfundimi i këtij afati, ndërkohë që ende ka subjekte që nuk kanë reaguar ndaj shlyerjes së borxhit ndaj shtetit. Nëse ata nuk do të paguajnë detyrimet fiskale, atëherë këto biznese do të jenë të detyruar që krahas saj të paguajnë edhe gjobat dhe kamatëvonesat e akumuluara prej më shumë se një dekade. j.gj