E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajzat me shami padisin shkollën pas përjashtimit

 

TIRANE - Gjykata e Tiranës filloi dje shqyrtimin e ankesës së dy vajzave, që paditën shkollën 9-vjeçare "28 Nëntori" dhe Drejtorinë Arsimore të Kryeqytetit, pasi u përjashtuan nga shkolla për shkak të ferexheve që mbanin veshur. Gjykata e Tiranës filloi dje shqyrtimin e padisë së ngritur nga motrat Gentiana dhe Marsela Hasani për përjashtimin e tyre nga shkolla në janar të vitit 2008. Seanca e djeshme është cilësuar si përgatitore, pasi asnjëra nga palët nuk kishte sjellë prova përpara gjykatës. Bëhet e ditur se në seancën e djeshme dy vajzat nuk kanë qenë të pranishme, por ka qenë babai i tyre. Ndërsa nga pala e paditur ka qenë drejtoresha e shkollës 9-vjeçare. Sipas burimeve pranë Gjykatës bëhet e ditur se babai i vajzave ka pohuar përpara gjykatës, se urdhri për përjashtimin e vajzave të tij nga shkolla ishte i padrejtë. Ndërsa drejtoresha është shprehur se nuk ishte ajo që i kishte përjashtuar; ajo thjesht kishte zbatuar ligjin e një institucioni laik. Gentiana dhe Marsela Hasani studionin në klasën e 8-të dhe të 7-të në janar të vitit 2008, kur një urdhër i drejtorisë së shkollës i përjashtoi ato nga institucioni arsimor. Si arsye për këtë ishte veshja e dy vajzave me ferexhe për shkak të besimit fetar mysliman që ato i përkisnin. Një vit më vonë, në janar të vitit 2009 ato iu drejtuan gjykatës, duke paditur shkollën dhe Drejtorinë Arsimore Tiranë. Padia kishte si objekt rikthimin e vajzave në shkollën shtetërore dhe shpërblim dëmi moral e financiar të shkaktuar nga shkelja e një të drejtë. Padia në fjalë shqyrtohet në Gjykatën e Tiranës nga gjyqtari Ilir Mustafaj. Bëhet e ditur se pas "dëbimit" nga shkolla shtetërore vajza e vogël ka vijuar ndjekjen e studimeve në një medrese, ndërsa vajza tjetër në një shkollë fetare private.       ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›