Dëmtohen çatitë e shkollave
BURREL – Dëmtohen rëndë tre çati të shkollave në rrethin e Matit. Nxënës e mësues kanë dhënë alarmin për gjendjen e krijuar, ndërkohë nga strukturat shtetërore nuk ka asnjë reagim. Në shkollat 9-vjeçare, Kurdari dhe Urakë, si dhe në shkollën e ciklit të ulët Kodër Laç, tavanet dhe çatitë e dëmtuara të objekteve kanë vënë në rrezik jetën e mbi 500 nxënësve. Drejtorët e shkollave sqarojnë se ata kanë informuar zyrën arsimore në rreth, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës si dhe komunat Rukaj e Suç, duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme me investime. Në letrat drejtuar institucioneve shtetërore, ata janë shprehur se rënia e tavaneve dhe çative ka vënë në rrezik jetën e qindra nxënësve, ndërkohë klasat e dëmtuara janë boshatisur, duke u krijuar mundësi të tjera nxënësve për vijimin e procesit mësimor. Shkollat e këtyre fshatrave janë aktualisht larg çdo standardi, ndërkohë të tjera paraqesin probleme serioze. Gati në të njëjtat kushte janë dhe shkolla të tjera në komunat Macukull, Derjan, Komësi, Xibër, etj. h.p