E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronari i zyrave, pre e mashtruesit, ngushëllohet nga investimi i mbetur

 

TIRANE - “Më falni ku është pallati ‘Vëllezërit Kajtazi’”? “Përpara në katin e dytë e ke”. “Nuk e kuptova përgjigjen, ju pyeta për një pallat!” “Po, po e kuptova pyetjen dhe përgjigjja është për Indrit Aliun, e di që kërkon atë. Hyrja atje tej, ngjitu në katin e dytë. Mos je gjë një nga viktimat e tij?”. Eshtë biseda e bërë me një biznesmen pranë “Zogut të Zi”, dje pasdite, ndërsa po shkonim në vendin ku Indrit Aliu, supermashtruesi 25-vjeçar me origjinë nga Vlora kishte ngritur perandorinë e tij të mashtrimeve. Nuk u zhgënjyem aspak nga mendimi që kishim krijuar për të, qoftë për luksin e zyrave dhe qoftë për popullaritetin e tij në zonë. Në katin e dytë të pallatit “Vëllezërit Kajtazi”, supermashtruesi kishte krijuar një kompleks të vërtetë zyrash. Teksa hyje brenda korridorit që të çonte në katin e dytë, një kamera e shtrenjtë të fiksonte mirë duke të ndjekur në çdo lëvizje, derisa mbërrije pranë derës së hyrjes në perandorinë e luksit. Në të djathtë, në mur, andej nga drejtohesh për nga zyra e supermashtruesit ndodhet e fiksuar logoja e kompanisë “Dejs & Partners Consulting”, përballë banaku i recepsionit dhe pas zyra e supervizionit. Në të majtë ndodhej zyra e kreut ekzekutiv të shoqërisë, e cila në fakt ishte një kompleks më vete. Përballë zyrës së Aliut ishte rezervuar një zyrë goxha e madhe për juristët e kompanisë, si dhe një për financën. Sapo hyn në zyrën e Indrit Aliut, sigurisht nga dera që hynte vetëm ai, sheh përballë tavolinën e tij të punës. Mobilie cilësore, kolltuku dhe raftet po të tillë, si dhe mjaft piktura të shtrenjta nëpër mure, skulptura dhe gdhendje në dru. Në hapësirën përballë tavolinës së punës së tij ndodheshin të vendosur disa kolltukë, një tavolinë salloni dhe një televizor plazma HD. Aty ishte vendi ku Indrit Aliu ulte me radhë viktimat e tij, të cilët i vilte pak nga pak. Tashmë pas “krehjes” nga Prokuroria dhe Policia Gjyqësore të zyrave të tij, kanë mbetur vetëm pak dokumente, kasaforta e hapur është boshatisur krejt, në zyrën e financës nuk ka mbetur thuajse asgjë nëpër dosjet e shumta. Po kështu edhe në zyrën e drejtorit ekzekutiv dhe atë të juristëve. Nëpër tavolina kanë mbetur vetëm ata kompjuterë që nuk janë sekuestruar, ndërsa kamerat dhe aparatet e tjerë të sigurisë vazhdojnë të regjistrojnë sapo hapet dera kryesore, siç duket të montuar në mënyrë që të mos ndërpresin asnjëherë funksionin. I vetmi njeri që hyn nëpër këto ambiente është vetëm pronari i tyre, Kujtim Kajtazi, i cili siç thotë tashmë, vjen aty vetëm për t’i ajrosur ato. Sipas kontratës që kishte bërë me Aliun në muajin tetor të vitit të kaluar, Kajtazi kishte rënë dakord për një qira 600 euro në muaj, për dy vjet me radhë dhe investimi të mbetej aty. Para, Kajtazi nuk kishte mundur të merrte ndonjëherë, pasi kishte rënë viktimë e një borxhi plot 30 mijë euro dhe një investimi për ndërtimin e një rruge fshati 40 milionë lekë të vjetra, por ajo që e ngushëllonte sadopak ishte investimi rreth 20 mijë euro që Aliu kishte lënë në këto zyra.          fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›