Shpërndanë dëftesa false,hetim 8 mësuesve elbasanas
ELBASAN / ALDO KOZARJA
Tetë mësues nga gjimnazi “Qemal Stafa” në qytetin e Elbasanit janë nën hetim nga ana e Prokurorisë. Pas arrestimit të dy ish-drejtorë shkollash të mesme, hetimet janë shtrirë te stafi pedagogjik i tyre.
Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Elbasanit. Sipas këtyre burimeve, mësuesit po hetohen me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ata akuzohen se në bashkëpunim me ish-drejtorin e arrestuar pak ditë më parë, Gëzim Skënderi, të kenë bashkëpunuar për të kaluar në mënyrë abuzive rreth 25 nxënës. Për ta, organi i akuzës ka konstatuar se në kohën kur ata kanë marrë dëftesën e shkollës së mesme, mësohet të kenë qenë emigrantë, kryesisht në vendet fqinje Itali dhe Greqi. Hetimet intensive të bëra nga Prokuroria e Elbasanit, në bashkëpunim me policinë, kanë evidentuar në sistemin kompjuterik të kufijve shqiptare se këta persona, që janë diplomuar me dëftesën e shkollës së mesme, ishin larguar nga Shqipëria në verë dhe ishin kthyer nga vendet e emigrimit vite më vonë, çka hedh në mënyrë automatike prezencën e tyre në programin mësimor. Ndërkohë një tjetër provë e rëndësishme për ngritjen e akuzës ndaj mësuesve është sekuestrimi i regjistrit të klasave, ku janë regjistruar të gjitha rastet abuzive. Mësohet se mësuesit e hetuar janë transferuar nga shkolla “Qemal Stafa” në shkolla të tjera të rrethit. Dy ish-drejtorët e shkollave, asaj “Qemal Stafa”, Gëzim Skënderi dhe një tjetër në Gramsh, Bajram Kllogjeri u arrestuan disa ditë më parë, me akuzën e abuzimit me detyrën. Por, pas paraqitjes në gjykatë, ajo vendosi që të lërë në burg Kllogjerin e të hetojë në gjendje të lirë Skënderin. Ky vendim ka detyruar Prokurorinë e Elbasanit që të kërkojë apelimin e çështjes. Akuza e ngritur ndaj mësuesve mësohet se do t’u komunikohet atyre ditët e ardhshme. Megjithë provimin e akuzës mësohet nga burimet se nuk do të kërkohet arrestimi i tyre, pasi përveç impaktit negativ do të kërkohej dhe zëvendësimi i tetë arsimtarëve njëherësh në shkolla. Përfundimi i hetimeve do të përcaktojë dhe fatin e tyre pas përfundimit të vitit mësimor, 2008-2009. Abuzimi me dëftesat u zbulua nga sektori i antikrimit ekonomiko-financiar i Elbasanit, pas denoncimeve të kryera nga mësues të shkollave “Qemal Stafa” dhe të një shkolle të mesme në Gramsh. Hetimi 6-mujor çoi në arrestimin e Kllogjerit dhe Skënderit, i cili i hapi rrugë dhe vënies nën akuzë të 8 arsimtarëve të tjerë.
Sarandë, pyeten nxënëset e helmuara
SARANDE – Merren në pyetje nga policia 6 nxënëset e vitit të dytë të shkollës së mesme jo publike në Sarandë, të cilat pinë qetësues në orët e mësimit ditën e gënjeshtrave. Mësohet se ato janë shprehur se çdo gjë e kishin bërë thjesht për humor për të kaluar 1 prillin dhe asnjëherë nuk e kishin menduar se do të arrinin deri në gjendjen e krijuar ditën e mërkurë. Vajzat nuk kanë treguar se në cilën farmaci kanë marrë tabletat e diazepamit. Ndërsa po punohet për të zbuluar edhe farmacinë ku është tregtuar diazepami, që sipas mjekëve jepet vetëm më rekomandim të mjekut dhe përdoret sipas udhëzimit të tij.