E Diel, 1 Nëntor 2026

"Banda e Durrësit", avokati i Bunës padit Drejtorinë e Burgjeve

Edhe dje ka dështuar seanca e radhës në Gjykatën e Krimeve të Rënda për bandën e Durrësit. Gjyqi është shtyrë sërish gjatë ditës së djeshme. Shkaku ka qenë avokati i të arrestuarit me origjinë nga Kukësi, Kujtim Buna, i cili akuzohet si anëtar i "Bandës së Durrësit" për vepra të shumta penale. Ai ka "kërcënuar" gjykatën se nëse nuk i jepet një vendim-leje nga togat e zeza që të vizitojë në qeli klientin për të parë gjendjen e tij shëndetësore, do të padisë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Deklarata ka ardhur menjëherë pas mospërcaktimit të gjendje së tij shëndetësore në deklaratën e të pandehurit Buna, nga ana e mjekut të burgut për gjendjen e tij shëndetësore. Sipas avokatit, klienti i tij është i sëmurë dhe nuk mund të marrë pjesë në seancë, e për këtë fakt gjykata duhet ta vërtetojë gjendjen e tij shëndetësore. Avokati i kërkoi trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Gurali Brahimllari që të vizitojnë Bunën në qelinë e burgut për të vërtetuar gjendjen në të cilën ai ndodhet dhe më pas të marrë vendimet. I pandehuri Buna prej disa javësh është i sëmurë nga një infeksion në veshka, çka ka bërë që ai të mos marrë pjesë në disa gjyqe të cilat janë shtyrë. Seanca e djeshme është shtyrë për mungesë të avokatëve mbrojtës të të akuzuarve. Ky rast shënon shtyrjen për herë të 56-të në Gjykatën e Krimeve të Rënda të gjyqit në ngarkim të bandës së Durrësit. Në të gjitha raste shkak për këto shtyrje është bërë mungesa e avokatëve mbrojtës, ndërsa prokurorët nga ana e tyre kanë akuzuar se e gjithë kjo "strategji" është një zvarritje e qëllimshme në përfitim të të akuzuarve. Shifrat "thonë" se nga 56 seancat në ngarkim të bandës së Durrësit, mbi 70 për qind e tyre janë shtyrë. Edhe pse gjykata ka vendosur zëvendësimin e avokatëve mbrojtës me avokatë të emëruar prej saj, duket se as kjo masë nuk ka funksionuar si një zgjidhje për problemin tashmë gangrenë të gjykimit të çështjeve, të cilat duket se mbeten peng prej lojës së avokatëve. Banda dyshohet si autore e një serie vrasjesh të ndodhura në Durrës e Tiranë, nga viti 1998 e në vazhdim, si dhe trafikim lëndësh narkotike në vendet e Evropës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›