E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtyhet gjyqi i Gjokeave, rrezikohen afatet e paraburgimit

Shtyhet sërish gjyqi kundër vëllezërve Gjokea në Durrës. Nis loja që vë në rrezik afatet e paraburgimit të të pandehurve. Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës nuk ka mundur të mbyllë as dje gjykimin ndaj tre vëllezërve Gjokea, të cilët akuzohen për vrasje të dyfishtë dhe plagosje brenda fisit. Ndonëse trupi gjykues i drejtuar nga gjyqtarja Shpëtime Pitaku ka vendosur të pezullojë afatet e paraburgimit për të pandehurin Kastriot Gjokea, mungesa dhe kërkesa e të cilit çuan në shtyrjen e seancës, pezullimi i tyre nuk është i vlefshëm për dy të pandehurit e tjerë. Me anë të një shkrese të sjellë nga Komisariati i Policisë Durrës, i pandehuri Kastriot Gjokea kërkoi shtyrje të seancës gjyqësore për pamundësi pjesëmarrjeje në të. Meqë kërkesa nuk ishte e shoqëruar me raport mjekësor, trupi gjykues vlerësoi pezullimin e afateve të paraburgimit konform nenit 265/2 të Kodit të Procedurës Penale. Në nëntor 2006, Gjykata e Durrësit shpalli fajtorë tre vëllezërit Gjokea, duke dënuar dy prej tyre në mungesë me burgim të përjetshëm dhe të tretin, Kastriot Gjokenë, me 21 vjet heqje lirie. Vendimi u apelua dhe Gjykata e Shkallës së Dytë vendosi ta kthejë çështjen për rishqyrtim, duke kërkuar rivlerësim të fakteve dhe provave të administruara nga gjykata e Faktit. Mbrojtja në mënyrë të vazhdueshme i ka vlerësuar të pabaza akuzat e ngritura ndaj vëllezërve dhe dënimin e bazuar mbi dëshminë indirekte të Simon Gjokeas, i piketuar për t‘u vrarë në pritën e 18 majit. Ajo ka pretenduar përdorimin e një arme të vetme nga e cila kanë dalë dhe 9 gëzhojat e gjetura në vendngjarje. Ndërkaq, po sipas avokatëve, viktimat nuk kanë qenë objekte të sulmit, po vetëm Simoni. Mbrojtja ka tentuar të rëndojë pozicionin e David Gjokesë, person në kërkim prej 3 vjetësh. Ndërkohë në bankën e të akuzuarve gjatë këtij gjyqi është dhe Arben Gjokea, i ekstraduar nga Verona e Italisë ku ndodhej në burg. Vrasja e dyfishtë dhe plagosja mes Gjokeave ndodhi për motive pronësie. Vëllezërit në rigjykim u zunë pusi kushërinjve të tyre të largët, duke shkaktuar vrasjen e dy Gjokeave nga fshati Derven i Krujës dhe plagosjen e rëndë të babait të njërit prej viktimave. Vrasja ndodhi më 18 maj 2005, në një kthesë të fortë të fshatit Gjuricaj të Ishmit, ku mbetën të vdekur kushërinjtë Eduart dhe Oligert Gjokea dhe u plagos rëndë Simon Gjokea. Ishte një vrasje në emër të gjakmarrjes për Palush Gjokenë, vëllain e të dënuarve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›