"Banda e Durrësit", avokati mashtron gjykatën
TIRANE - Seanca e 87-të në radhën e seancave në ngarkim të personave të akuzuar si anëtarë të "Bandës së Durrësit" dështoi edhe njëherë dje, po për faj të avokatëve. Mungesa e mbrojtësit avokatit Riza Icka, avokatit të së pandehurit Indrit Taullai detyroi gjykatën e Krimeve të Rënda të caktonte një datë të re. Ndërkaq gjykata zëvendësoi mbrojtësin Icka me një avokat kryesisht. Shkak për këtë u bë deklarata e sjellë nga ana e tij në gjykatë, ku e justifikonte mungesën me angazhimin e tij në një gjykim tjetër në gjykatën e Tiranës. Pas verifikimeve nëpërmjet faqes zyrtare të kësaj gjykate dhe kancelarit të saj gjykata konfirmoi faktin se gjykimi, për të cilin avokati fliste në deklaratë, nuk ekzistonte. Pasi e cilësuan të pajustifikuar mungesën gjykata e zëvendësoi avokatin Icka. ar.ba