E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, tre viktima në 48 orë

 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

Tre persona humbin jetën në rrugët e Gjirokastrës brenda 48 orësh. Bilanci më tragjik i shënuar ndonjëherë në një kohë kaq të shkurtër gjatë dhjetë viteve të fundit ka qenë i stimuluar nga shpejtësia dhe humbja e kontrollit të drejtuesve të automjeteve. Në orët e mesditës të së enjtes në afërsi të serave të Mashkullorës në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë, pikërisht në të njëjtin vend ku para dy ditëve humbi jetën në një aksident automobilistik ish-lideri socialist lokal Resul Llogo, shënohet viktima e radhës. Automjeti i prodhimit rus i tipit “Lada” me targë TR 26 24 E, i cili drejtohej nga shtetasi Astrit Çullhaj, 42 vjeç nga Tirana, është përplasur me automjetin tip “Opel” me targa të huaja AN 794 MS. Në timonin e tij ndodhej 28-vjeçari Orges Selmëni, nga Këlcyra e Përmetit. Policia e Gjirokastrës konstatoi se kjo përplasje fatale në shpejtësi e sipër të të dy automjeteve, shkaktoi vdekjen e menjëhershme të pasagjerit Altin Laçaj, 24 vjeç nga Tirana, i cili udhëtonte me automjetin me targa të kryeqytetit. Automjeti tip “Opel”, si pasojë e përplasjes së fortë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në pjesën e majtë të rrugës, në një tokë bujqësore. Të dy drejtuesit e automjeteve janë transportuar për në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës për të marrë asistencën mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Drejtuesi i automjetit “Lada”, Astrit Çullhaj, së bashku me viktimën udhëtonte nga Ksamili për në Tiranë, pasi punonin për llogari të një firme që merret me ndërtimin e ujësjellësit të Ksamilit. Grupi hetimor po heton për përcaktimin e shkakut të këtij aksidenti, ku paraprakisht prej dëshmive nga vendngjarja të personave që kanë parë të gjithë skenën, ka rezultuar se drejtuesi i automjetit tip “Opel”, Orges Selmëni ka hyrë në parakalim të gabuar. Policia e Gjirokastrës pohon se të dy drejtuesit e automjeteve fill pas ndihmës mjekësore do të shoqërohen në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme ligjore. Ndërkohë 12 orë para ndodhjes së këtij aksidenti, një tjetër viktimë ishte shënuar në një incident automobilistik në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë. Burimet policore kanë bërë të ditur për gazetën “Panorama”, se aksidenti tjetër është shënuar në orën 23:30 të së mërkurës në pjesën jugore të qytetit, në afërsi të fshatit Lazarat. Një automjet i tipit “Audi” me targa FR 68 36 A, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal. Si pasojë e kësaj daljeje nga rruga, drejtuesi i automjetit ka gjetur vdekjen gjatë transportit për në spitalin e Gjirokastrës. Viktima është çuar në morg dhe nuk është identifikuar akoma nga policia në mungesë të një dokumenti identifikimi. Ndërkaq punonjësit e Policisë Rrugore kanë deklaruar se automjeti me të cilin udhëtonte viktima, rezultonte pa dokumentacion të rregullt. Policia nga ana e vet po punon për identifikimin e viktimës. Prej 1 janarit të këtij viti e deri më 21 maj, në aksin rrugor Kakavijë-Tepelenë janë shënuar dhjetë viktima, të cilat kanë humbur jetën si pasojë e mosrespektimit rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor.

Aksidenti zbulon pistoletën
DURRES - Policia e Qarkullimit Rrugor zbulon në kasën e një motoçiklete një pistoletë. Nuk bëhej fjalë për kontroll rutinë kundër armëve të zjarrit, por për një akt-ekspertim në vendin e aksidentit. Burimet policore nga Durrësi saktësuan se mëngjesin e djeshëm, pranë shkollës “Marie Kaçulini” shtetasi Elvis Mustafa 27 vjeç humbi drejtimin e mjetit duke u rrëzuar. Nga përplasja me asfaltin është dëmtuar drejtuesi i mjetit Mustafa, pasagjeri Shkëlzen Hoxha, 23 vjeç nga Shkozeti, si dhe një këmbësore e rastësishme, e cila në atë moment po përshkonte rrugën. Policia njofton se të tre të dëmtuarit ndodhen në Spitalin Rajonal të qytetit për ndihmë mjekësore, pasi kanë pësuar fraktura dhe trauma të shumta. Gjatë verifikimeve në vendngjarje, punonjësit e policisë konstatuan një pistoletë, e cila ndodhej në një çantë të vogël, në kasën e motoçikletës. Policia po kryen verifikimet, pasi nuk dihet arsyeja e posedimit të saj nga 27-vjeçari. o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›