Rihapet vrasja e "Mirit të Xhikes"
Armand Bajrami
Procesi gjyqësor për Lavdërim Tufën, i akuzuar për vrasjen e Fatmir Ramës (Miri i Xhikes) rikthehet në Gjykatën e Tiranës për shqyrtimin e pro-vave nga e para. Gjykata e Apelit deklaroi dy ditë më parë moskompetencën për shqyrtimin e çështjes nga Krimet e Rënda. Aktet e dosjes u dërguan në Gjykatën e Tiranës, si institucioni kompetent për dosjen në fjalë. Kalimi i dosjes në Gjykatën e Tiranës dhe rënia e dënimit "burg përjetë" ndaj Lavdërim Tufës, është vendosur nga Gjykata e Lartë, e cila e ktheu çështjen për rigjykim. Dosja e ngjarjes së ndodhur më 29 mars 2003 tek kompleksi "Kartodrom", ku u vranë tre persona, mes tyre edhe "Miri i Xhikes" përfundoi në rigjykim nga e para, pasi e ka bërë një "xhiro" të plotë në tri shkallët e gjyqësorit. Rikthimi i dosjes
Në një seancë larg vëmendjes së medias, togat e zeza të Apelit për Krimet e Rënda vendosën dy ditë më parë, rihapjen e çështjes së vrasjes së trefishtë të ndodhur në Lundër 7 vjet më parë. Në ngjarjen e bujshme, pas breshërive automatike tek kompleksi "Kartodrom" u vranë Fatmir Rama, apo Miri i Xhikes, Julian Durishti dhe Kristaq Cami. Sipas togave të zeza të Apelit në gjykimet e mëparshme ndaj Tufës ka pasur shkelje të shumta procedurale, mes të cilave edhe kompetenca. Për pesëshen gjykuese, çështja në ngarkim të Lavdërim Tufës, nuk duhet të gjykohej nga Gjykata e Krimeve të Rënda, por nga Gjykata e Faktit të Tiranës pasi ajo ka kompetencën lëndore.
Dënimi për vrasjen
Ndërsa Tufa do të gjykohet tashmë nga "zero" për vrasjen e Fatmir Ramës, çështja e tij i "provoi" të gjitha shkallët e gjyqësorit. Pas arrestimit të tij në nëntor të vitit 2003, dosja e tij u dërgua për gjykim në Gjykatën për Krimet e Rënda. Pas një procesi të zvarritur në shtator të vitit 2006 Gjykata për Krimet e Rënda, pranoi kërkesën e prokurorisë dhe dënoi me burgim të përjetshëm Tufën. Apelimi i këtij vendimi nuk mundi të ndikojë aspak në uljen e masës së dënimit. Kjo pasi në fillim të vitit 2009 Gjykata e Apelit vendosi lënien në fuqi të "burgimit përjetë" dhënë nga Krimet e Rënda. Në vijim, dosjes iu bë rekurs në Gjykatën e Lartë. Kolegji penal i kësaj gjykate vendosi në muajt e parë të vitit 2009 rikthimin e çështjes për të dytën herë në Gjykatën e Apelit me një trupë tjetër gjyqtarësh. Sipas burimeve pranë Gjykatës së Apelit, për shkak të konsumimit të gjyqtarëve u vendos që trupa që do të merrte në shqyrtim të ishte e përbërë nga gjyqtarë të deleguar nga Gjykata e Apelit të Shkodrës. Dy ditë më parë, kjo trupë e kryesuar nga ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, gjyqtari Vangjush Kallco, vendosi dërgimin e dosjes në Gjykatën e Tiranës.
Atentati
Ngjarja e cilësuar si ndër më të bujshmet e kohës u shënua në 29 mars 2003 tek kompleksi "Kartodrom" në Lundër të Tiranës. Atë natë në mbrëmje, një atentat mafioz përfundoi me bilancin 3 të vdekur, njëri prej të cilëve, biznesmeni Fatmir Rama, i njohur edhe si Miri i Xhikes. Rama ishte në shoqërinë e disa 4 miqve të tij duke ndjekur një ndeshje futbolli të përfaqësueses kombëtare, kur tre persona të maskuar derdhën në drejtim të tyre breshëri kallashnikovi. Të gjendur në befasi, vetëm njëri prej të katërve, Ylli Kelmendi arriti të reagojë. Ai qëlloi me pistoletë në drejtim të atentatorëve, duke plagosur njërin prej tyre. Pas 8 muajsh për ngjarjen u arrestua vetëm Lavdërim Tufa, edhe pse sipas hetimeve autorët ishin më shumë se një. Përfshirja e tij në ngjarje u provua në atë kohë nga një provë gjenetike ADN-je e bërë për një fije floku të gjetur në një maskë të hedhur pranë vendit të ngjarjes.
Debati mbi analizën e ADN-së
Një prej pikave më të nxehta në gjykimin e të akuzuarit si vrasës si Mirit të Xhikes ishte debati mbi përfundimin e analizës së ADN-së të një fijeje floku të gjetur pranë vendngjarjes. Floku i gjetur në një maskë të hedhur korrespondonte sipas analizës gjenetike të bërë nga një gjenetiste britanike në masën mbi 90 për qind me ADN e Lavdërim Tufës.