E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesmeni italian përplaset me maunen në superstradën me 1 korsi

 

DURRES – Aksidentohet në superstradën Tiranë-Durrës biznesmeni italian. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme, në afërsi të Sukthit, kur makina e tij u përplas fuqishëm me një maune, në një segment në rikonstruksion të aksit nacional. 32-vjeçari Diego Francesko Pissa, pronar i një studioje të njohur në Tiranë, rrezikon prerjen e dy këmbëve pas përplasjes së fortë. Biznesmeni i ri, rezident prej kohësh në Shqipëri, ndodhej në autoveturën luksoze të tipit “Chrysler”, me targa të huaja kur u përplas me mjetin e tonazhit të rëndë që udhëtonte në kahun e kundërt. Ngjarja ka ndodhur në orën 13:00 tek vendi i njohur si “mbikalimi i serave” në Sukth. Përplasja e makinës luksoze të drejtuar nga italiani ka ndodhur me një maune që lëvizte në drejtim të Tiranës. Persona të rastit i kanë dhënë ndihmë viktimës, i cili në kohë rekord u dërgua në Spitalin Rajonal të Durrësit. Mjekët kanë konstatuar se viktima e këtij aksidenti në autostradë ka thyerje totale tek të dyja këmbët. Ndërkohë policia ka shoqëruar në komisariat shoferin e maunes, 40-vjeçarin Ismail Hoxha, banor të lagjes “Shkozet” në Durrës. Përplasja ishte aq e fuqishme saqë edhe airbag-u nuk ka mundur dot të shpëtojë shoferin. Në vendngjarje timoni i makinës “Chrysler” si dhe kutia e matësit të shpejtësisë kanë përfunduar jashtë makinës pas përplasjes. Ndërsa në pjesën e përparme automjeti amerikan ishte shtypur krejtësisht. Sipas dëshmitarëve makina ka përfunduar si një shigjetë e hollë drejt e nën rrotat e maunes, falë formës aerodinamike të tij. Aksidenti ka ndodhur teksa autostrada qarkullonte me një korsi. Përplasja ka ndodhur kokë më kokë, ndoshta nga një parakalim i gabuar i veturës së vogël. Policia ende nuk ka dalë në konkluzion se kush është fajtori, ndonëse ekzistojnë dyshimet se italiani mund të ketë kryer parakalimin nga mungesa e informacionit për rrugën me 1 korsi. Një helikopter i Kryqit të Kuq italian ka mbërritur pas rreth 2 orësh në Durrës për të bërë transportimin e shtetasit të dëmtuar drejt spitalit rajonal të Pulias.
Për fat të keq, autostrada, e cila në segmente të caktuara të saj funksionon me 1 korsi për arsye riparimi, krijon konfuzion tek drejtuesit, të cilët kur mendojnë se janë në rrugën e duhur me një drejtim, befas gjenden përballë makinave të tjera. Një situatë e tillë ka sjellë kohët e fundit shpeshtim të aksidenteve fatale rrugore në autostradën që lidh Tiranën me Durrësin.                         o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›