E Shtunë, 31 Tetor 2026

Listat

Edmond Arizaj 

Pas supozimesh, hamendësimesh, vonesave, shpresave e qejfmbetjeve, Edi Rama e shpalli listën e tij të kandidatëve të Partisë Socialiste. U thye pak ligji në dorëzimin e emrave, por gjithsesi kryesorja mbetet përmbajtja, përfaqësimi që do të bëjnë këta njerëz; do të jenë për të majtën e sotme, për ish të majtën e punës, apo do të jenë përtej së majtës. Fillimisht mund të thuhet pa hezitim se në këtë listë janë tre grupe, të zakonshmit baballarë të kombit, të ligjshmet e 30 përqindëshit, gratë e kombit dhe “risia”, bijtë e ish-baballarëve të kombit. Ka mes tyre drejtues dhe përfaqësues OJQ-sh, apo organizatash të tjera, me lidhje të pakta apo të aspakëta me bazën socialiste, me pandjeshmërinë minimale për problemet që kalon kjo bazë prej katër vitesh në opozitë. Kjo pandjeshmëri vjen për shkak se pakkush prej tyre ka jetuar vërtet pranë fukarallëkut, mizerjes dhe papunësisë që ka kapluar shumicën e së majtës. Sepse shumica janë shkolluar jashtë dhe kur kanë ardhur brenda nuk e kanë pasur mundësinë e njohjes së realitetit nga afër, e aq më pak mund ta njohin nga salla e Kuvendit, pas xhamave të makinave të shpejta, nga paskurrizit të truprojës. Vështirë se ky lloj grupi pune mund të ndihmojë realisht të majtën, por edhe gjithë Shqipërinë për të dalë seriozisht nga kriza. Vërtet koha e ish-të majtës së punës ka kaluar, por jo idetë që ajo la pas. Ideja e rrethit të parë dhe e shkretëtirës pas tij. Rrethi i parë janë miqtë, shokët, fisi dhe familjarët. Pas tyre shkretëtira, nuk e vret mendjen njeri për të tjerët. Por nëse shqiptarët në ’90 e rrëzuan me disa mitingje e një grevë studentësh koalicionin e kalbur për 45 vjet rresht, këtë radhë do ta kenë shumë herë më të vështirë. Do ta kenë më të vështirë, sepse koalicioni i ri nuk është ndërtuar më mbi ideologjinë, por i ka themelet shumë më të forta se një ndërtesë 20 katëshe… Shqiptarëve shumë shpejt do t’u duhet (nëse do të kenë më forca) të luftojnë për t’u shpëtuar egos dhe makutërisë së një grupi të përkëdhelurish me jo pak etje për shpagim dhe me pak ëndrra.
E vështirë që ky grup të jetë rezultativ edhe për premtimin e madh, përtej së majtës e të djathtës. Ata do të jenë tërësisht të komanduar dhe dirigjuar nga vullneti i njëshit, atij që për katër vjet do t’ia dinë për faleminderit që i mori nga anonimati dhe brenda dy javësh i bëri njerëz që vendosin për fatet e Shqipërisë. Disa do ta marrin postin e deputetit të Partisë Socialiste, çuditërisht pa milituar ndonjëherë pranë ndonjë organizate, disa do ta marrin nga përthyerja e personalitetit duke ia përafruar atë me sa munden atij të kryetarit të Partisë Socialiste, disa të tjerë do ta marrin pas lutjeve të shumta kthesave e intrigave, manipulimeve të vogla meskine. Ende nuk mund të flasim për pakicën e shpresës, e cila vendin do ta ketë në sajë të dinjitetit dhe personalitetit të emrit të tyre, të patangetueshëm askund me dëshirat jotelevizive të Ramës. Një pjesë, publikisht të njohur prej vitesh, Rama ua zhbëri krenarinë duke i detyruar të mohojnë edhe veten (si ish-ministra, apo drejtues të PS-së). Tashmë kryetari i PS-së ka në dorë plastelinën e dëshiruar…
Por përveç këtyre, ky grup, me shumicën juristë, mund të jetë edhe i rrezikshëm, pikërisht për detyrën primare të një deputeti, bërjen e ligjeve. Mosha e shumicës së juristëve, kandidatë për deputetë, është ende e re, e pastërvitur mirë në detyra të rëndësishme, e trajtuar mirë vetëm në bërje projektesh organizatash joqeveritare, ndërsa papritur u duhet të njihen thellësisht me legjislacionin shqiptar (ata që kanë mbaruar jashtë) e të bëjnë ligje e akte të tjera për miliona shqiptarë. Barra është e rëndë dhe supet e fortë janë të pakta për të mbajtur edhe peshën e të rinjve të shumtë. Ndoshta Rama nxitoi për të barazvlerësuar politikën e re me moshën e re, madje shumë të re për politikë. Ende deri tani, një i “politikës së re” nuk ka dalë fitimtar në përballjet televizive me një “të politikës së vjetër”, sado e vjetër që ka qenë kjo. Ndërsa shumë të tjerë do të njihen vetëm gjatë këtij muaji elektoral, apo më keq akoma, vetëm pas 28 qershorit.
Rama tashmë e ka vënë në bast të gjithë të ardhmen e shqiptarëve dhe në radhë të parë të së majtës e Partisë Socialiste. Kandidaturat e tij, të stërvitur vetëm me modelin e kryetarit, por të paregjur aspak me problematikën madhore dhe shumëdimensionale të Shqipërisë, janë zaret që Rama ka lëshuar nga dora për të kërkuar pikët e fitores. Një listë emrash që mund të jenë zeniti, ose nadiri politik i vetë Ramës.
Lista e PD-së
Asgjë e re. Në kolonë për dy pas doktorit të Kryeministrisë dhe doktoreshës së Kuvendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›