E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabiten 2 banesa dhe qendra e internetit

 

TIRANE - Tre denoncime për vjedhje mbërritën në policinë e kryeqytetit gjatë 24 orëve të fundit. Sipas burimeve nga policia e Tiranës, persona ende të paidentifikuar, kanë mundur që gjatë natës, teksa lokali ishte i mbyllur, të vidhte 10 kompjutera, duke thyer derën. Denoncimi është bërë në Komisariatin Nr.3 nga pronari i lokalit internet-kafe, Agron Rusi. Ngjarja ka ndodhur në lagjen "Don Bosko" dhe policia ka nisur hetimet për zbulimin e autorëve. Ndërkohë në Komisariatin Nr.4, është bërë një kallëzim tjetër, sërish për vjedhje. Xhovalin Pula ka denoncuar në polici, se i është vjedhur me thyerje banesa e tij në rrugën "Siri Kodra", ku i janë marrë 158 mijë lekë të reja. Edhe për këtë ngjarje autorët ende nuk janë identifikuar. Një banesë tjetër është vjedhur në Bathore të kryeqytetit, në mes të ditës. Këtë radhë autori është zbuluar dhe është Markelian Cungu, i cili është lënë i lirë për shkak të moshës, ashtu si edhe qindra herë të tjera kur është ndaluar për vjedhje. 12-vjeçari dyshohet se ka vjedhur banesën e Xhelal Carës, nga ku ka arritur të marrë shuma të konsiderueshme parash. Sipas policisë, djali i mitur ka vjedhur në banesën e familjes Cara 6 milionë lekë të vjetra, 300 euro dhe 70 dollarë. Ndërkohë policia ka zbuluar autorin e vjedhjes së lokalit të Shpresa Rrokajt, që ka ndodhur dy ditë më parë. I dyshuar si autor i kësaj ngjarje është ndaluar 18-vjeçari Arlind Murati. Po kështu shërbimet e Komisariatit Nr.3 kanë ndaluar edhe 28-vjeçarin Kujtim Berisha, i cili dyshohet se është autori i vjedhjes me dhunë të celularëve të Florian Shkrelit dhe Enver Meçes, ngjarje kjo e ndodhur dy ditë më parë.                                e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›