E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda e Durrësit, dëshmitarët humbasin kujtesën

Asnjë prej dëshmitarëve të vrasjes së Dritan Sallakut nuk i ka njohur autorët

Dëshmitarët e thirrur nga akuza në procesin e djeshëm gjyqësor ndaj 17 të pandehurve të njohur si pjesëtarë të bandave të Durrësit, kanë “humbur” kujtesën, duke mos njohur asnjë prej autorëve të vrasjes së Dritan Sallakut. Prokurorët Anton Martini dhe Behar Dibra kanë thirrur me radhë dëshmitarët Ilir Nelaj, Agim Rexhepagaj, Eral Bajramaj etj., duke i pyetur për detaje nga ngjarja e tetorit të vitit 1998, kur në një lokal ka mbetur i vrarë Dritan Sallaku dhe janë plagosur disa persona të tjerë. Ilir Nelaj dhe Agim Rexhepagaj, dy qytetarë nga Durrësi, që në vitin 1998 kanë qenë shokë me Dritan Sallakun dhe njëkohësisht me Lulzim Berishën, janë paraqitur në gjykatë, ndërsa menjëherë mbrojtja kërkoi shpjegime, pasi emrat për ta ishin të panjohur. Prokurori Anton Martini deklaroi se Agim Rexhepagaj nuk ka pranuar të merret në pyetje pas ngjarjes dhe për këtë nuk ka as procesverbal. Dëshmitarët kanë qëlluar afër vendit të ngjarjes, kur nga një makinë, të cilën nuk mundën ta identifikonin, dy persona zbrazën automatikët për të vrarë Dritan Sallakun. “Edhe pse ne u plagosëm, më pas mësuam se shënjestra ka qenë Dritan Sallaku dhe jo ne”, tha Agim Rexhepagaj, i cili është shok i vjetër me Lulzim Berishën. Dëshmitari sqaroi se nuk kishte evidentuar Lul Berishën në makinën që ka qëlluar në drejtim të tyre. “Unë jam nga Durrësi dhe në vitin 1998 kam qenë i papunë. Ishte tetor, ora 19:00 e mbrëmjes. Unë së bashku me Ilir Nelaj, Erald Bajramaj dhe Dritan Sallakun po pinim nga një birrë në një lokal në afërsi të shkollës ‘17 Nëntori’. Në një moment dolëm jashtë për të parë një palë këpucë që i kishte një shoku ynë te makina. U afruam atje. Unë isha përballë rrugës, duke hapur bagazhin, ndërsa Iliri dhe Dritani me kurriz. Pashë që u afrua një makinë. Personi që ishte në sediljen e parë si pasagjer qëlloi me automatik. Plumbat kapën Tanin, Ilirin dhe mua. Unë u plagosa në fshikëzën e urinës, ndërsa Tani mbeti i vrarë e Iliri në kurriz. Na dërguan në spital pas ngjarjes. Mbaj mend që në makinë ishin tre persona, por nuk i njoha. Më pas kam dëgjuar nëpër kafe se na ka qëlluar një person me emrin Pëllumb, të cilin nuk e identifikoj dot më tepër”, tha Agim Rexhepagaj. Dëshmia e tij u kundërshtua në disa pjesë nga prokuroria. Sipas tij, viktima ka qenë për një kohë të gjatë në Itali dhe ata njiheshin vetëm si çuna lagjeje. Ndërkohë, dëshmitari Ilir Nelaj i tha gjykatës të njëjtat gjëra për ngjarjen ku mbeti edhe vetë i plagosur në kurriz. Ai tha se ende nuk e ka mësuar personin që e ka qëlluar.

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda dëshmoi dje edhe ish i pandehuri i bandave të Durrësit, Eral Bajramaj, i arrestuar dhe më pas i liruar për mungesë provash. Dëshmitari tha se viktimën, pra Dritan Sallakun, e ka pasur shok. Ditën e ngjarjes është ulur në një lokal. “Kam qenë duke pirë kafe brenda. Kanë qenë edhe persona të tjerë, daja im Ramiz Trepshi. Më pas dolëm jashtë me një djalë tjetër, Ilir Nelaj, për të futur një palë këpucë. Dëgjuam krisma. Unë nuk kam lëvizur, kam qenë në lokal. Pas disa sekondash pamë të shtrirë Agim Rexhepagaj, Ilir Nelën dhe Dritanin. Bashkë me çunat e tjerë, i futëm në makinë të plagosurit. Ilir Rexhepagajn dhe Nelën i çuam në spital”, tha dëshmitari, duke sqaruar më pas momentin që ishin në lokal. Ai tha se Dritani kishte në lokal 10 minuta, ose çerek ore, ndërsa në lokal kanë qenë edhe persona të tjerë. “Makinën e kisha parkuar përballë lokalit. Kam qenë me shpinë. Të plagosurit ndodheshin afër bagazhit të makinës sime. Dritani ishte i vdekur. Kam shkuar në banesën e tij atë natë, sapo ishte errësuar dhe kam qëndruar 30 minuta. Eduart Ongarin, Erjon Lamen dhe Marsel Sotirin i njoh si banorë të Durrësit. Kemi shkuar në spital dhe Erjoni më ka pyetur se çfarë dija për ngjarjen. Më tha që do vish me mua. Rrugës pashë që kishte armë. Më çoi drejt rrugës, në kërkim të një personi me emrin ‘Lumi’, në lidhje me ngjarjen. Erjoni pa një makinë dhe e ndaloi. Më tha ‘zëri rrugën’. Erjoni komunikoi me një person. Më mbrapa mora vesh që ishte nipi i tij. Ndërsa Marsel Sotirin e kam takuar poshtë shtëpisë së vëllait të Dritan Sallakut. Më është kërkuar nga Dashamir Sallaku të marr të dashurën e Tanit nga palestra, por unë kam refuzuar. Unë e kisha bluzën me gjak dhe Sotiri më ka pyetur lidhur me ngjarjen. I thashë që Dashi më kërkoi të merrja të dashurën e Tanit dhe që kisha refuzuar. Ai më tha që të ikja në shtëpi. E dashura e Dritanit ka vdekur të nesërmen. Mora vesh që ishte vetëvrarë. Dritan Sallaku ka pasur njohje me Marsel Sotirin”, tregoi Eral Bajramaj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›