OSSH, 600 mijë USD fitime nga televizioni
Si kompani private që është, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) nuk do ta mbledhë më taksën e televizionit publik pa përfituar komision. E detyruar, qeveria ka pranuar kushtin që një pjesë të të ardhurave që krijon Radiotelevizioni Publik Shqiptar t’ia kalojë OSSH-së, pasi në faturën e dritave vendoset edhe tarifa vjetore që paguajnë shikuesit. Taksa aktuale është 6 dollarë në vit dhe paguhet në një herë të vetme, në muajin prill, që me rreth 1 milion abonentë që ka OSSH, rezulton në 6 milionë dollarë fitime për televizionin publik. Për mbledhjen e kësaj takse OSSH do të përfitojë një komision prej 10 për qind, pra një të ardhur prej 600 mijë dollarësh. Udhëzimi ka hyrë këto ditë në fuqi dhe është hartuar mes ministrit të Financave, Ridvan Bode, dhe drejtorit të Përgjithshëm të TVSH-së, Petrit Beci. Sipas pikës 7 të udhëzimit, “Për shërbimin e kryer, OSSH përfiton 10 për qind komision të llogaritur mbi bazën e tarifave të arkëtuara dhe ka transferuar në llogarinë përkatëse të thesarit”.
#