E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Durrësit, dështon sërish prej Fatmir Brakës



Procesi ndaj bandës së Durrësit nuk ka mundur të zhvillohet as ditën e djeshme. “Zgjidhja” e menduar nga kolegji penal i Krimeve të Rënda nuk ka rezultuar si e tillë. Kreu i avokatëve të Dhomës së Tiranës, Fatmir Braka, nuk ka qenë i pranishëm në sallë ashtu siç ishte kërkuar një seancë më parë. Sipas kryesuesit të kësaj dosjeje, gjyqtarit Gurali Brahimllari, Braka i kishte telefonuar vetëm pak kohë para se të niste procesi duke i justifikuar mungesën e tij se kishte angazhime të tjera. Për pasojë, seanca është shtyrë për t’u zhvilluar në një tjetër datë duke qenë se një nga të pandehurit e kësaj dosjeje, Lulzim Berisha, është pa avokat pasi ata që kishte zgjedhur me dëshirën e tij u përjashtuan për shkak të moskorrektësisë në seancat gjyqësore.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzën për anëtarët e bandës së Durrësit për një sërë vrasjesh. Prokuroria për Krime të Rënda në datën 03. 04. 2005 ka regjistruar Procedimin Penal Nr.35 për veprat penale: “vrasje me paramendim në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasit Klodian Saliu, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake me pasoja të rënda” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga Nenet 78 – 25, 278/4 dhe 333/a të Kodit Penal. Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë, në datën 09. 03. 2006, ka rifilluar hetimet dhe ka regjistruar Procedimin Penal Nr. 34, në lidhje me ngjarjen e datës 17. 10. 1998, ku ka mbetur i vrarë shtetasi Dritan Sallaku dhe janë plagosur Ilir Nela dhe Agim Rexhepi. Ky procedim penal i është bashkuar Procedimit Penal Nr. 35 të vitit 2005. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka regjistruar Procedimin Penal Nr. 506 në lidhje me ngjarjen e datës 29 10. 1998 në lidhje me vrasjen e shtetasve Viron Curri, Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri si dhe Procedimin Penal Nr. 274 në lidhje me ngjarjen e datës 10. 07. 2000 në lidhje me vrasjen e shtetasit Dritan Disha. Zinxhiri i vrasjeve për të cilat akuzohet kjo bandë shkon edhe më tej.

13 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›