Ilir Paja, mjeshtër i arratisjeve, pranon gjykimin e shkurtuar
Tiranë - Ilir Paja, i cilësuar si mjeshtri i arratisjeve, ka kërkuar dje gjykimin e tij ashtu siç janë aktet në dosjen e prokurorisë, gjykimin e shkurtuar. Gjykatësi Idriz Mulkurti ka vendosur dje ta shtyjë procesin për një datë tjetër, për t’u shprehur mbi kërkesën e paraqitur nga i pandehuri. Ilir Paja akuzohet nga prokuroria për veprën penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” të agjentit të policisë një vit më parë. Ngjarja për të cilën akuzohet ka ndodhur më 6 mars të vitit 2008, pranë ish-Farmacisë Nr. 10, kur Paja, pasi ka vënë re se ishte në ndjekje nga policia, ka marrë zvarrë me mjetin e tij tip “Fiat Punto” agjentin e policisë, i cili ndodhej pas tij me një motor “Skuter”.
Përleshje me armë në kryeqytet, plagosen dy persona
Tiranë – Dy persona mbetën të plagosur dje pak pas mesditës, gjatë një konfrontimi me armë zjarri, në fund të bulevardit “Zogu I” në kryeqytet. Burime të Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë thanë për gazetën se morën informacion se në rrugën “Gjergj Legisi”, në afërsi të stacionit të trenit Tiranë, janë plagosur me armë zjarri dy shtetas. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:15, pas një konflikti për motive të dobëta dhe të çastit, mes Gëzim Perbibajt 32 vjeç dhe 47-vjeçarit Lazër Ramaj. Në momentin e konfliktit, Gëzim Perbibaj ka qenë duke shtruar në rrugë një kabëll elektrik. Fillimisht ai është grindur me Lazër Ramajn, që ka kaluar në përleshje me armë. Për pasojë mbetën të plagosur të dy në këmbë. Të plagosurit janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe aktualisht ndodhen nën kujdesin mjekësor. Në vendin e ngjarjes, policia tha se kreu veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armët e krimit, çifte shotgan e poseduar me leje nga Lazër Ramaj dhe një armë tip pistoletë e poseduar po pa leje nga Gëzim Perbibaj. Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të dy shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Armëmbajtje pa leje” për Gëzim Perbibajn.
13 Mars 2009