Grabitje me armë, i vidhen 5 milionë lekë punonjësit të Postës
LEZHË - Një grabitje ka ndodhur rreth orës 11:00 pranë një filiali të Bankës Kombëtare Tregtare në qytetin e Lezhës. Policia ka zbardhur detaje të grabitjes së 3 punonjësve të filialit të Postës Shqiptare në Lezhë, por nuk ka ende ndonjë person të dyshuar.
Ngjarja
Punonjësit janë grabitur mëngjesin e sotëm, pasi kanë dalë nga Banka Kombëtare Tregtare, ku kanë tërhequr paratë për pagat e punonjësve. Sipas zëdhënëses së policisë së Lezhës, 3 punonjësit e filialit të postës, 2 prej të cilëve ishin punonjëse dhe i treti punonjës i policisë private të filialit, pasi kanë dalë nga banka, janë grabitur nga tre persona, të cilët nuk janë identifikuar ende. Grabitësit kanë qenë të maskuar dhe kanë sulmuar punonjësin duke i rrëmbyer shumën e parave që kishte me vete. Mësohet se grabitësit kanë shtënë në ajër në momentin kur kanë rrëmbyer lekët. Policia thotë se shuma e grabitur është 5 milionë lekë të reja. Ndërkohë, policia ka filluar punën për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të ngjarjes.
Rastet
Brenda dy muajve të parë të vitit 2009 kanë ndodhur plot 5 grabitje. Seria e tyre fillon me grabitje e filialit të një banke të njohur në zonën e Laprakës, ku dy persona të maskuar dhe të armatosur janë futur në bankë dhe nën kërcënimin e armës kanë marrë paratë e sportelit. Më pas grabitjet vijojnë më ngjarjen e Durrësit më 21 janar, ku persona të paidentifikuar i grabitën një kambisti plot 10 mijë euro. Autorët kanë improvizuar një aksident me mjetin e tij dhe vetëm kur janë larguar, kambisti ka konstatuar mungesën e valutës. Në Fier më 4 shkurt u grabit agjencie Union Travel, që operonte në një linjë udhëtarësh Fier- Athinë ka bërë denoncimin në rajonin e policisë, pasi zyra ku ai punonte është konstatuar prej tij e vjedhur. Rasti i katërt lidhet me 10 shkurtin e këtij viti, kur në Cërrik u grabitet argjendaria miliona lekëshe. Dy persona dyshohen se janë autorë të grabitjes së argjendarisë dhe dëmi llogaritej në 7 milionë lekë. Ngjarja më e freskët lidhet me 27 shkurtin, kur në Tiranë dy persona të armatosur grabitën një pikë “Exchange”, shumë pranë qendrës së kryeqytetit. Grabitësit kanë qëlluar me armë në ajër dhe kanë munduar të largohen me një shumë të konsiderueshme parash, që sipas policisë, kap shifrën e 2.5 milionë lekëve.
13 Mars 2009