E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ra dakord për pazarin e taksisë, kërcënon me thikë shoferin



Gjirokastër – Policia e Gjirokastrës ka arrestuar në flagrancë 35-vjeçarin Bujar Hyseni, lindur në Përmet dhe banues në Memaliaj, i dënuar më parë për veprën penale të “Plagosjes së lehtë” në vitin 1990. Sipas të dhënave për agjencinë e lajmeve NOA ai u arrestua për shkak se ka faturuar një automjet Taksi me targa GJ 190 A, me drejtues mjeti shtetasin S. TH., banues në Gjirokastër, për të shkuar në komunën Lunxhëri, në fshatin Erind. Pasi ka shkuar dhe taksia e ka pritur gjer sa ka mbaruar punë janë nisur për në Gjirokastër. Gjatë rrugës shtetasi i lartpërmendur ka debatuar me drejtuesin e automjetit për punën e pazarit, pasi nuk ishte dakord dhe në vendin e quajtur fshati Valare dhe disa metra pa hyrë në fshat ky shtetas ka nxjerrë një armë të ftohtë, thikë, dhe nën kërcënimin e saj ka tentuar të vjedhë automjetin taksi. Drejtuesi i mjetit ka mundur të dalë nga makina pa u lënduar duke marrë edhe çelësat me vete dhe ka lajmëruar policinë. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë ku kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e këtij shtetasi, si dhe bllokimin dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale të armës së ftohtë.

Kapet i arratisuri nga paraburgimi i Kavajas, ishte fshehur në Durrës

Kavajë – Forcat policore kanë mundur të kapin sot 29-vjeçarin Edmond Paraniqi, i cili u arratis dje nga mjediset e Komisariatin e Policisë së Kavajës. Sipas të dhënave të policisë lokale, ai fshihej në një banesë në rrethinat e Durrësit. Paraniqi, lindur dhe banues në Kavajë, u arratis dje nga mjediset e paraburgimit të Komisariatit të Policisë pasi u shoqërua pas një sherri të ndodhur mes disa djemsh në qytetin e Kavajës dhe paraprakisht hetohej për akuzën e kanosjes për vdekje. Ai ka kërkuar të shkojë në banjë por duke përfituar nga mungesa e vëmendjes, ka çarë nëpër korridore dhe ka dalë në portën kryesore duke vrapuar dhe u zhdukur në drejtim të paditur. Forca të shumta policore menjëherë e rrethuan zonën dhe ngritën postblloqe për të mundësuar kapjen e tij. Atje shkoi madje edhe një ekip i SHKB (Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm) nga Tirana, i cili ka sekuestruar dosjen hetimore dhe mori përsipër të kryente një investigim mbi dinamikën e ngjarjes që nga shoqërimi dje dhe deri në momentin e arratisjes. Ky është incidenti i dytë i arratisjes që ndodh në vend për këtë vit pas 22 janarit kur Petrit Çakrri, fitoi lirinë për një javë dhe nuk u kthye më në Burgun e Shën Kollit.

13 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›