Bashkurti merr titullin “Ambasador i Paqes” nga OKB-ja
Tiranë – Z. Lisen Bashkurti i jepet sot në një ceremoni zyrtare nga Federata Ndërfetare Ndërkombëtare për Paqe Botërore e OKB-së titulli “Ambasador i Paqes”. 52–vjeçari, që mban gradën shkencore të asistentprofesorit, ka një kontribut të çmuar në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Presidenti i Akademisë Diplomatike Shqiptare, zotërues i katër gjuhëve të huaja - anglisht, frëngjisht, italisht dhe serbo-kroatisht - njihet për publikimin e më shumë se 15 librave dhe rreth 150 artikujve studimorë e shkencorë dhe eseve të botuara në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Kroaci, Mal të Zi, Finlandë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vlerë në fushën e diplomacisë. Ai ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Republikën e Hungarisë dhe në Këshillin e Europës, Strasburg, Francë, përfaqësues i Shqipërisë në Sesionin e 49-të dhe 50-të të OKB-së në Nju Jork, si dhe në disa detyra të rëndësishme në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kontributi i Bashkurtit është i madh edhe në mësimdhënie. Ai është lektor i disa akademive diplomatike dhe universiteteve jashtë vendit. Ministër këshilltar Lisen Bashkurti është zëvendëspresident Nderi i ACCD-Londër. Ai ka asistuar në disa misione ndërkombëtare si: vëzhgues i OSBE-së në zgjedhjet e përgjithshme në Ukrainë, vëzhgues i OSBE-së në referendumin e Malit të Zi për pavarësi, vëzhgues i OSBE-së në zgjedhjet e përgjithshme në Malin e Zi. Z. Lisen Bashkurti për kontributin e tij i janë dhënë disa medalje si: “Medalja e Artë” për studimin “Mbi marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane”, katër “Medalje të Argjendta” për kontributin si ambasador i Shqipërisë në Hungari. Është shpallur “Intelektual i shquar i shekullit XXI për vitin 2007” nga Qendra Ndërkombëtare e Biografive, Kembrixh. U përfshi në Fjalorin e Oksfordit për vitin 2007 “Për kontributin në hulumtimet në Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Diplomaci “Who is Who”, “Excellence Award-2007”, Qendra Ndërkombëtare e Biografive, Kembrixh si dhe “Njeriu i vitit 2009” nga Instituti Amerikan i Biografive, ABI.
13 Mars 2009