Banda e Durrësit, disa të pandehur kërkojnë veçim të gjykimit
Prej një viti e gjysmë vazhdon në Gjykatën e Krimeve të Rënda procesi gjyqësor për “Bandën e Durrësit” dhe gjatë gjithë seancave të zhvilluara, vetëm në katër prej tyre ka ecur normalisht, ndërsa koha tjetër i është kushtuar “lojës” mes avokatëve dhe të pandehurve për ta shtyrë sa më tepër të jetë e mundur. E gjendur përballë situatave të tilla shtyrjesh, organi i akuzës u kërkoi togave të zeza zhvillimin e seancave pa ndërprerje, çdo ditë, por nga togat e zeza u rrëzua si kërkesë dhe u vendos që gjyqi të zhvillohej dy herë në javë. Megjithatë, dështimi i radhës u shënua edhe gjatë seancës së djeshme, edhe kësaj here për mungesë të palës mbrojtëse. Një nga avokatët nuk paraqitet prej disa seancash, duke paraqitur një raport mjekësor se është i pamundur nga ana shëndetësore për të marrë pjesë në gjyq. Pas tij, sërish të tjerë avokatë janë bërë pengesë për shtyrjen e këtij gjyqi, ndërkohë që dje seanca u ka lënë vendin replikave dhe debateve mes prokurorëve dhe avokatëve të pranishëm. Sipas dy prokurorëve, mosprania e palës mbrojtëse po zvarrit procesin ndaj “Bandës së Durrësit”. Ndërkohë që disa nga avokatët e konsideruan më se të justifikuar mospraninë e kolegut të tyre. Më pas, debatet ia lanë vendin tjetrit, i cili u zhvillua pas kërkesës së ripërsëritur të disa të pandehurve të kësaj bande, të cilët kërkojnë veçimin e gjykimit për ta. Bëhet fjalë për të pandehurit Elvin Hoxhosmani, Indrit Dokle, Kujtim Buna dhe Selman Heti, të cilët kërkuan veçimin përmes avokatëve të tyre Hicka, Pustina, Semani, Azizi e Ponari. Sipas tyre, ky proces ka shumë të pandehur dhe herë pas here mungesa e një avokati bëhet shkak për zvarritjen e procesit. Por, kërkesa e tyre u kundërshtua nga prokurori Martini dhe togat e zeza, të cilët arsyetuan se procedimi është i lidhur dhe se episodet kriminale për të cilat akuzohen kanë lidhje me njëra-tjetrën. Kjo ka qenë arsyeja pse edhe gjatë kërkesës së parë me të njëjtin objekt, gjykata është shprehur me vendim se nuk mund ta pranojë si kërkesë, konkretisht veçimin e gjykimit për një pjesë të pandehurve. Sipas prokurorëve dhe gjykatës, të pandehurit akuzohen për të njëjtat vepra penale të kryera në kuadër të organizatës kriminale dhe për këtë duhet të procedohen së bashku. Për të përshpejtuar këtë proces, gjykata pranoi një seancë më parë kërkesën e organit të akuzës për zhvillimin dy herë në javë të seancave gjyqësore. Në fund të procesit të djeshëm, gjykata përveçse pranoi kërkesën e prokurorëve për pezullim të afateve të paraburgimit për të pandehurit, u shpreh se për këto shtyrje seancash për mungesë të avokatëve, do lajmërojë organet nga të cilat varen pala mbrojtëse, Ministrinë e Drejtësisë dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë. Me cilësinë e të pandehurit si anëtarë të "Bandës së Durrësit” janë marrë nga prokuroria 16 persona, të cilët akuzohen për disa vepra të rënda penale, ndër të cilat disa vrasje të ndodhura vite më parë në Durrës. “Banda e Durrësit”, sipas prokurorisë, në fillimet e saj, që shtrihen në vitin 1997, drejtohej nga i pandehuri Lulzim Berisha. Më pas, me kalimin e kohës anëtarët e saj janë përfshirë në konflikte me njëri-tjetrin, duke krijuar grupe rivale.
Të pandehurit që kërkuan veçim
Indrit Dokle
Elvin Hoxhosmani
Kujtim Buna
Selman Heti
Të pandehurit e tjerë
Lulzim Berisha
Plaurent Dervishaj
Indrit Taullai
Adriatik (Dritan) Coli
Sardian Sulejmani
Altin Olloni
Alban Neli
Spartak Kalthi
Altin Nikolla
Kristian Bregu
Ahmet Ajeti
Osman Korpuzi
Akuzat:
“Krijim të organizatës kriminale”
“Pjesëmarrjes në organizatë kriminale”
“Kryerje e krimeve nga organizata kriminale”
“Vrasjes me paramendim në bashkëpunim” disa herë
“Vrasjes me dashje kryer në bashkëpunim ngelur në tentativë” disa herë
“Vrasjes me dashje kryer në bashkëpunim ngelur në tentative”
“Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”
Të pandehurit që kërkuan veçim
Indrit Dokle
Elvin Hoxhosmani
Kujtim Buna
Selman Heti
Të pandehurit e tjerë
Lulzim Berisha
Plaurent Dervishaj
Indrit Taullai
Adriatik (Dritan) Coli
Sardian Sulejmani
Altin Olloni
Alban Neli
Spartak Kalthi
Altin Nikolla
Kristian Bregu
Ahmet Ajeti
Osman Korpuzi
Akuzat:
“Krijim të organizatës kriminale”
“Pjesëmarrjes në organizatë kriminale”
“Kryerje e krimeve nga organizata kriminale”
“Vrasjes me paramendim në bashkëpunim” disa herë
“Vrasjes me dashje kryer në bashkëpunim ngelur në tentativë” disa herë
“Vrasjes me dashje kryer në bashkëpunim ngelur në tentative”
“Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”