Dosja “Gërdeci”, prokuroria shtyn edhe tre muaj hetimet
Vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për shtyrje edhe tre muaj të hetimeve për dosjen “Gërdeci” nuk e kanë pritur mirë avokatët mbrojtës të të pandehurve, por edhe vetë këta të fundit. Mes tyre ka pasur një përplasje për këtë shtyrje të afatit hetimor edhe për një 3-mujor, ndërkohë që kjo është e para shtyrje afati pas komunikimit të akuzës së re për tre të akuzuarit. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, afati përfundimtar për dorëzimin e dosjes për gjykim është 15 mars 2009, ndërkohë që përfundimi i hetimeve mund të bëhet edhe para kësaj date. Prokuroria e ka parë si të domosdoshme që ky hetim të shtyhet edhe 3 muaj të tjerë, ndërkohë që ky vendim u është komunikuar ditën e djeshme tre të pandehurve të kësaj çështjeje, Mihal Delijorgji, ish-administrator i firmës “Albademil”, Dritan Minxholli, ish-drejtor teknik në fabrikën e demontimit në Gërdec, si dhe Ylli Pinari, ish-drejtoi i Meico-s. Mësohet se prokurorë të çështjes janë paraqitur dje ne paraburgimin “Jordan Misja” 313, ku edhe i kanë komunikuar shtyrjen e hetimeve deri në muajin mars. Ky hap i ndërmarrë dje ka sjellë debate mes prokurorëve dhe avokatëve mbrojtës, i përcjellë më pas edhe te vetë të pandehurit. Mësohet se mbrojtësit kanë refuzuar të firmosin vendimin e akuzës, duke e cilësuar këtë të fundit si të pabazuar në ligj. Nga ana tjetër mësohet se shtyrja e afateve të hetimet u është komunikuar dje edhe dy personave të cilët hetohen në gjendje të lirë, Dashnor Çaushi dhe Sokol Gjeci. Të pandehurit Delijorgji, Minxholli e Pinari akuzohen për vrasje masive, pasi tragjedia e Gërdecit në 15 mars të këtij viti solli 26 viktima dhe një numër të konsiderueshëm të plagosurish e dëme materiale. Person nën hetim në këtë çështje është edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili akuzohet për disa shkelje.
Somario
Mbrojtësit kanë refuzuar të firmosin vendimin e akuzës, duke e cilësuar këtë të fundit si të pabazuar në ligj
Shtyrja e afateve të hetimit u është komunikuar edhe dy personave të cilët hetohen në gjendje të lirë, Dashnor Çaushi dhe Sokol Gjeci
Somario
Mbrojtësit kanë refuzuar të firmosin vendimin e akuzës, duke e cilësuar këtë të fundit si të pabazuar në ligj
Shtyrja e afateve të hetimit u është komunikuar edhe dy personave të cilët hetohen në gjendje të lirë, Dashnor Çaushi dhe Sokol Gjeci