E Diel, 1 Nëntor 2026

Do trafikonin 70 klandestinë, gjashtë në pranga nga policia

Policia e Beratit ka shkatërruar një grup që merrej me trafikun e klandestinëve dhe ka vënë në pranga gjashtë persona. Ndërkohë tre shtetas të tjerë janë shpallur në kërkim, si pjesë e kësaj bande nga uniformat blu. Agjentët e policisë së qytetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Beratit ditën e djeshme organizuan operacionin “Ginga”. Sipas burimeve të policisë, agjentët kishin mbi dy muaj që kishin filluar nga puna për të hetuar këtë grup kriminal. Ata po tentonin që të kalonin për në vendin fqinj rreth 70 persona. Nga dëshmitë e marra, çdo klandestin do të duhet që të paguante për të kaluar në anën tjetër të kufirit rreth 2.500 euro. Ata arrinin që të kalonin në mënyrë ilegale në Greqi klandestinët, nëpërmjet Gjirokastrës dhe Sarandës. Policia ka shoqëruar për në ambientet e paraburgimit gjashtë të arrestuarit, në pritje për të dalë përpara drejtësisë, për të marrë masën e arrestit. Ata akuzohen për “dhënie ndihme në trafik të paligjshëm të klandestinëve”. Ndërkohë që po punohet për kapjen e tre persona të tjerë të shpallur në kërkim.

Sipas njoftimit të policisë, personat e arrestuar janë Romeo Hajdini, 18 vjeç, banues në Berat, Taulant Hysi, 21 vjeç, banues në Fier, Ëngjëll Veizaj, 26 vjeç, Spartak Cakaj, 37 vjeç, të dy banues në Gjirokastër, Edvin Qato, 29 vjeç, banues në Berat, Asqeri Mehmetaj, 42 vjeç, banues në Fier. Ndërkohë pjesë e grupit janë edhe Leonard Hysi, 43 vjeç, banues në Fier, Altin Çepele, 20 vjeç, banues në Roskovec dhe Agron Ymeraj, 43 vjeç, banues në fshatin Orizaj të Beratit, të cilët janë shpallur në kërkim, si bashkautorë në këtë aktivitet kriminal.

Hetuesit kishin mbi dy muaj që kishin marrë informacion për aktivitetin kriminal të grupit dhe kishin nisur nga puna për “goditjen” e tyre. Nga hetimet paraprake, grupi përbëhej nga 9 persona. Ata vepronin në qytetin e Beratit dhe zonat përreth, duke marrë persona nga fshatrat dhe duke i transportuar më pas ata në Greqi. Sipas burimeve të policisë, ata do të transportonin rreth 70 klandestinë për në anën tjetër të kufirit. Për çdo person, të arrestuarit merrnin rreth 2500 euro. Sipas hetuesve, grupi kriminal shfrytëzonte si itinerar katër linja, atë nëpërmjet Beratit-Fierit dhe Gjirokastrës, Lushnjës-Fierit-Gjirokastrës, Lushnjës-Vlorës-Sarandës dhe Fierit-Vlorës-Sarandës. Gjithashtu, nga uniformat blu u sekuestruan edhe tre taksi dhe një furgon që përdorej për transportimin e klandestinëve. Personat e arrestuar akuzohen për “dhënie ndihmë në trafikun e paligjshëm të klandestinëve”.

Të arrestuarit

1-Romeo Hajdini, lindur dhe banues në fshatin Orizaj, Berat, i padënuar më parë.

2-Tauland Hysi, lindur në Tepelenë dhe banues në Fier, i padënuar më parë.

3-Ëngjëll Veizaj, lindur dhe banues në Gjirokastër, i padënuar më parë.

4-Spartak Cacaj, lindur dhe banues në Gjirokastër, i padënuar më parë.

5-Edvin Qato, lindur dhe banues në fshatin Dyshnik Berat, i padënuar më parë.

6-Asqeri Mehmetaj, lindur në Cakran i ri, Fier dhe banues në Fier, i padënuar më parë.

Në kërkim nga policia

7-Leonard Hysi, lindur në Tepelenë dhe banues në Fier, i padënuar më parë.

8-Altin Cepele, lindur dhe banues në Roskovec, i padënuar më parë.

9-Agron Ymeraj, lindur e banues në fshatin Orizaj, Berat, i padënuar më parë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›