Banda e Durrësit e çoi vajzën time të prostituonte në Itali
Nëna e Valbona Jahos, dëshmitares së drejtësisë në procesin gjyqësor ndaj 17 të pandehurve të bandave të Durrësit, ka dëshmuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, duke deklaruar se anëtarët e kësaj bande kanë dërguar vajzën e saj në Itali si prostitutë. Flora Jaho akuzoi disa nga të pandehurit, ndërsa nga kafazi i hekurt kanë reaguar edhe të arrestuarit. Në fillim të dëshmisë u shpreh se nuk ka pasur dijeni për lidhjet e vajzës, por gjithçka e ka mësuar pas kthimit të saj nga Italia. Flora deklaroi se në vitin 1998 ka punuar si centraliste në çorovodë dhe është shpërngulur në Durrës ku qëndruan disa kohë. Ajo është pyetur nga prokurori nëse kishte dijeni për vajtjen në plazh dhe cila ishte arsyeja. Flora iu përgjigj se nuk e dinte një gjë të tillë. Më tej ajo u shpreh se vajza e saj ka ikur nga shtëpia dhe me të është lidhur vetëm me telefon. “Vajza ime, Valbona, më ka thënë se ka ikur nga shtëpia dhe është me Klodianin. Por unë mësova më pas se ajo pas vrasjes së Marsel Sotirit ka qëndruar për një muaj në shtëpinë e Lulzim Berishës. Kur u kthye nga Italia mësova nga të tjerët, se ajo vetë nuk hapej, se kishte punuar si prostitutë”, deklaroi Flora. Në seancën e djeshme gjyqësore prokuroria ka lexuar deklarimet e bëra nga të dy prindërit e Marsel Sotirit. Aktualisht ata jetojnë jashtë vendit dhe gjykata ka pranuar të lexohen deklarimet e bëra pas vrasjes së djalit të tyre. Teuta Sotiri i ka thënë prokurorisë se djalin e saj e ka vrarë Lulzim Berisha. Këtë fakt ajo e ka mësuar nga shokët e djalit. Po kështu ka thënë se djalin ia vranë, pasi ishte inspektor i krimit ekonomik në doganë. Ata janë shprehur se kishin mësuar nga të tjerët një fakt të rëndësishëm, që kishte të bënte me vrasjen e djalit të tyre. Sipas dëshmisë se bashkëshortëve Sotiri, në momentin e vrasjes djali i tyre kishte qenë në makinë me dy femra, ndërsa shpreheshin se nuk i kanë njohur shokët e djalit. Nëna e Marsel Sotirit gjatë deklarimeve të dhëna para oficerëve të policisë gjyqësore në vitin 1998, ka thënë se djali i saj nuk merrej me veprimtari të jashtëligjshme, por është vrarë nga Lulzim Berisha për shkak të detyrës.
#